Gostivar, polici maqedonas vret dy shqiptarë
Një polic ka vrarë dy të rinj në Gostivar, pas një zënke për parkimin e makinës. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë, vrasësi është Jaqim Trifunovski, 39 vjeç, punonjës i policisë në stacionin policor për sigurimin e kufirit shtetëror Mazraça.
Polici ka shtënë në drejtim të të rinjve me pistoletën e tij zyrtare, mirëpo nuk ka qenë në detyrë. Të vrarët janë Imran Mehmeti 29 vjeç dhe Besnik Shehapi 26 vjeç
Zëdhënësi i MPB-së, Ivo Kotevski ka folur lidhur me incidentin duke dhënë versionin e MPB-së lidhur me vrasjen. “Punonjësi i policisë fillimisht ka shtënë me dy plumba në ajër në shenjë paralajmërimi. Por, më pas ka shtënë në personat nga të cilët është sulmuar me ç`rast ka plagosur të dy”, ka thënë Kotevski, duke dhënë versionin e tij.
Vrasjet ka ndodhur rreth orës 13 në rrugën “Kej Vardari” në afërsi të sallonit të mobilieve “Montenegro”.
MPB ka ndërmarrë të gjitha masat për zbulimin e vrasjes së dyfishtë, ndërsa pritet ngritja e kallëzimit penal kundër punonjësit të policisë. /INA/