E Diel, 1 Nëntor 2026

Abuzimi me letrat me vlerë të 914 të përndjekurve, dy persona nën hetim

Pas një viti hetimesh intensive, Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim dosjen hetimore në ngarkim të dy të pandehurve, Teofik Hyka e Perlat Bello, të akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “vjedhje duke shpërdoruar detyrën”. Në kërkesën për gjykim, e cila ka mbërritur në gjykatë dhe është caktuar gjyqtarja që do ta shqyrtojë, bëhej e ditur se hetimet nisën në 29 korrik të vitit të kaluar, pas kallëzimit penal të depozituar në organin e akuzës nga ana e grupit mbikëqyrës pranë Këshillit të Ministrave, për mosshlyerjeje të shumës së lekëve të letrave me vlerë me anë të së cilës ishte blerë fabrika e tullave në Vorë. Gjatë hetimeve, ka rezultuar se shtetasi Teofik Hyka ishte administrator i shoqërisë “Fabiona” sh.p.k., fabrika e tullave në Vorë, e cila ka një sipërfaqe prej 73.048 metrash katrorë. Blerja e kësaj fabrike, sipas akuzës, është bërë në sajë të kontratës me numër 2708/988 e nënshkruar në datën 31 gusht 1999 midis AKP-së dhe Këshillit të Rrethit Tiranë. Vlera e shitjes së këtij objekti ishte përcaktuar 2.200.100.00 lekë. Sipas hetimeve ka rezultuar se fabrika ishte blerë me letrat me vlerë të 914 personave, të cilët ishin të përndjekur politikë dhe duhet të dëmshpërbleheshin nga shteti. Shuma e lekëve që ishte marrë nga grumbullimi i këtyre letrave me vlerë kapte shifrën e 672.726.447 lekëve. I pandehuri Hyka duhet të paguante shumën prej 1.522.373.525 lekësh në total për të gjithë fabrikën, lekë këto që i kishte borxh shtetit. Shlyerja e lekëve, të cilat një pjesë duhet të paguheshin për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, duhet të paguhej nga 1 korriku i vitit 2000 deri në 30 qershor të vitit 2010. Por, për fatin e keq të të përndjekurve, ndodh krejtësisht e kundërta. Teofik Hyka në vitin 2003 mbyll fabrikën e tullave për detyrime të pashlyera dhe do të shesë të gjithë materialet që ndodheshin në të, duke nisur që nga pajisjet dhe do të prishë të gjithë godinën. Pas prishjes së fabrikës, shuma e lekëve që duhet të paguante Hyka arrin në 2.145.657.585 lekë, nga të cilat, vetëm 461.814.901 lekë duhej për të paguar të përndjekurit politikë. Duke mos ua paguar këtë shumë, Hyka u ka sjellë një dëm të konsiderueshëm këtyre të fundit. Pas shitjes së fabrikës, Hyka i kthen shtetit shumën prej 210.911.578 lekë, vlerë kjo që arrinte vetëm 31.24% të shumës që kjo shoqëri u detyrohej. Pas hetimeve të nisura nga ana e prokurorisë mbi Teofik Hykën, ka rezultuar se grupi i mbikëqyrës në Këshillin e Ministrave kishte caktuar shtetasin Perlat Bello për të kryer mbikëqyrjen në këtë fabrikë, si dhe duhet të merrej edhe me ndjekjen e shlyerjes së letrave me vlerë të përndjekurve politikë në shumë 672.726.447 lekë. Pas hetimeve të kryera nga grupi hetimor ka rezultuar se edhe pas mbylljes së fabrikës, deri në vitin 2006, Bello është paguar për kryerjen e punës që i ishte caktuar, por që nuk e ka kryer si duhej. I pandehuri, sipas akuzës, nuk i ka pranuar akuzat e tij gjatë gjithë kësaj kohe. Dosja e hetimore në ngarkim të Hykës dhe Bellos ka shkuar për gjykim në Gjykatën e Tiranës, ku do të shqyrtohet nga ana e gjykatëses Shefkije Demiraj në ditët në vazhdim. Mbi dy të pandehurit rëndojnë akuzuat e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “Shpërdorim detyre”.

Të pandehurit

Teofik Hyka, administrator i shoqërisë “Fabiona”

Perlat Bello, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në Këshillin e Ministrave

Akuzat

“Vjedhje duke shpërdoruar detyrën”

“Shpërdorim detyre”

Detaje

73.048 metra katrorë ishte sipërfaqja e fabrikës së tullave

914 numri i të përndjekurve që do përfitonin dëmshpërblim

2.200.100.00 lekë ishte vlera me të cilën u ble fabrika

672.726.447 lekë, shuma e lekëve të grumbulluar nga grumbullimi i letrave me vlerë

210.911.578 lekë, i kthehet shtetit, vlerë kjo që arrinte vetëm 31.24 % të shumës që kjo shoqëri ju detyrohej

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›