Durrës; Arrestohen dy shtetas si shkaktarë të aksidenteve me pasojë vdekjen
Forcat e policisë së Durrësit arrestuan dy net më parë dy shtetas, të cilët ishin shpallur në kërkim në kohë të ndryshme, si shkaktarë të aksidenteve me pasojë vdekjen. Sipas burimeve zyrtare policore, 33-vjeçari Astrit Memolla, lindur e banues në lagjen nr. 15 të Durrësit dhe 37-vjeçari Shkëlqim Ziu, lindur në Lushnjë dhe banues në Durrës, u arrestuan dy net më parë nga policia, pasi ishin shpallur në kërkim si shkaktarë të dy aksidenteve me pasojë vdekjen. Sipas të njëjtave burime, tri ditë më parë, Memolla aksidentoi për vdekje 80-vjeçarin Mahmut Qyra, në rrugën Shën Vlash - Durrës, ndërsa drejtonte automjetin tip "Golf", me targa AY 057 SS. Ndërkohë, 37-vjeçari Shkëlqim Ziu, ishte shpallur në kërkim 7 muaj më parë si përgjegjës për aksidentin me pasojë vdekjen e një shtetasi nga Durrësi. Ngjarja ka ndodhur në muajin nëntor të vitit 2007, ndërsa ai drejtonte automjetin me targa TR 9171 L, në rrugën Ura e Dajlanit - Plepa, në zonën e plazhit.