E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më mire vonë se kurrë, më mirë në kohë se vonë

1. Problemi i arsimit i të gjitha niveleve ka marrë sot kudo në botë një rëndësi tepër të madhe. Arsimi tek ne në këto dy dekada ka shënuar një sërë arritjesh historike. Por, këtu nuk është vendi t’i numërojmë ato.

Gjykimi im është se në nivelin e dijeve kombëtare të gjitha fushave dhe të gjitha niveleve kemi mbetur pas asaj që zotërojnë kombet e tjera. Mendoj se nga ky konstatim duhet thelluar edhe më tej analiza që bëhet nga institucione dhe aktorë të ndryshëm të arsimit në Shqipëri. Për ta thënë më shkoqur, një komb nuk është fuqia e tij e parasë, nuk është niveli teknologjik në të cilin ai ka arritur. Këto janë anë materiale. Një komb është një realitet shpirtëror e ngjizja e shpirtit të kombit bëhet me anë të dy mekanizmave themelore, të cilat janë kujtesa kombëtare, (kujtesa kolektive), si edhe dijet që një komb zotëron.

Këtu nuk mund të hyj në aspekte konkrete të sistemit tonë arsimor, por dua të theksoj disa anë disi të përgjithshme të tij. Unë kam frikë se mos po bëhemi një komb poetësh. Nuk kam asgjë me poetët, përkundrazi, i vlerësoj shumë, sidomos ata të vërtetët, por puna është se ne po braktisim dijet fondamentale, teknike, operacionale. Të rinjtë tanë nuk duan aq shumë të bëjnë inxhinierira, lëndë natyrore, të merren me pyjet, me rrugët, me ujërat, me pasuritë tona materiale. Ne duam të gjithë të bëhemi juristë, noterë, filozofë, letrarë, pra të shkojmë në ato degë ku dija shpesh trajtohet fatkeqësisht si opinion.

Pastaj te ne ka një mentalitet kolektiv sundues që duket sikur riprodhon konceptin platonian që detyra e njeriut është të shkojë te e vërteta përfundimtare, që ndodhet diku atje në re, pra tek masterat dhe doktoraturat teorike. Rinia shqiptare ka nevojë të ndryshojë drejtimin e vullnetit dhe të hovit të saj të jashtëzakonshëm. Ajo ka nevojë të orientohet sidomos në sisteme shkollimi profesionale, të nivele dhe cikleve të ndryshme, jo medoemos teorike. Te ne shkolla duket sikur ka si qëllim të ripërtërijë shkollën. Institucioni riprodhon institucionin. Shpesh studentët marrin ato dije dhe me ato metoda sikur do të bëheshin të gjithë pedagogë. Maten dhe vlerësohen me syrin që pedagogu kërkon të gjejë te ata veten e vet. Ka një mimetizëm të fuqishëm sikurse në familje ku babai kërkon të projektojë te fëmija moralin e vet.

Arsimi shqiptar ka nevojë të përpunojë filozofinë e vet shkencore dhe pedagogjike. Nuk po them ta shpikë sepse këtë e ka të pamundur, por të ketë ndërgjegjen e vetes së vet. Për kë punon, për cilat objektiva, me çfarë mjetesh?

Janë të mirë kompjuterat në shkollat e mesme. Por, le të mos harrojmë se kështu po kërkojmë të hidhemi nga shkumësi në dërrasën e zezë drejt e te teknologjitë e inteligjencës artificiale. Shikoni se çfarë bëhet në shkollat e mesme rurale. Nuk ka laboratorë kimie dhe fizike. Ka nxënës që nuk kanë parë me sy një eksperiment të vetëm kimik apo fizik.

Unë kam frikë se një pjesë e dijes që qarkullon në shkollat tona është gjysmë e vërtetë. Nuk e kam zakon të flas për të vërtetën sepse është një koncept shumë evaziv, por sidoqoftë, mund të them se në shumë fusha ka një dije që daton mesin e shekullit të njëzetë. Unë mezi po e pres fjalorin e ri enciklopedik shqiptar, si edhe atë të gjuhës shqipe, për t’u ribindur se një numër shumë i madh fjalësh atje përkufizohen në mënyrë qesharake. Dija është gjuha e një kombi dhe gjuha është jeta dhe dija e një kombi. Ka një varfërim të pashoq të gjuhës, të cilën ne nuk mund ta lemë të degradojë me këto ritme drejt një fjalori të ngushtuar fort, si edhe me një semantikë krejt të kapërcyer në raport me dialogun e përbotshëm. Inercitë e së kaluarës janë kaq shumë të forta. Disa institucione kërkimi shkencor që duhet të prodhojnë të rejat e shkencës kombëtare po angazhohen më shumë në disa veprimtari fasade dhe po degjenerojnë në transmetimin e disa fjalimeve dhe opinioneve politike. Mbi të gjitha, sidomos në shkollat e larta, ka një klonim të universiteteve që ripërsërisin njeri-tjetrin. Shkollat e larta nuk janë edhe shkolla mendimi. Pa qenë shkollë mendimi, asnjë institucion shkollor nuk di se si t’i zgjedhë referencat e veta teorike dhe pedagogjike. Interneti është i mire si mjet informacioni, por një pjesë e madhe të rinjsh, mos them edhe pedagogësh, po mjaftohet me disa të vërteta interneti, wikipediash, forumesh, si edhe sintezash formale informacioni të sipërfaqshëm. Interneti te ne veç anëve shumë pozitive, nga keqpërdorimi, po shfaq edhe disa anë negative, të asaj që quhet « copy paste », me një fjalë të kopjimit nga interneti. Kjo sjell një hapje të sipërfaqshme ndaj botës. Dialogu, debati, diskutimi, iniciativa e lirë duhet të tejshkojë mësimdhënien sepse shpeshherë është në formë hierarkike, ku mësuesi flet e nxënësi dëgjon. Shtroj shpesh pyetjet se përse studentët shqiptarë nuk e lexojnë literaturën e huaj të përkthyer në shqip? Kombi lexon shumë gazeta, qëndron para ekranit, lexon një literaturë artistike rozë, kurse libri shkencor lexohet shumë pak. Nuk kanë kohë të lexojnë? I bezdis gjuha e kulturës shkencore? Nuk iu duhet? Janë futur në një shoqëri hedonistike të jetës së lehtë? Mos harrojmë se ne duhet të përballojmë disa çështje të rëndësishme. Tashmë shkollimi te ne nuk është më një portë suksesi në jetë. Pastaj, jetojmë në një shoqëri shërbimesh, berberësh, qoftexhinj, kafexhinjsh, kambistësh, sportistësh, të gjitha zanate të nderuara, por ku për të mbijetuar mjafton vetëm dhe thjesht tabela e shumëzimit. Kur gjithë jetën e di se të mjafton tabela e shumëzimit, përse – pyet Qenan K. – më duhet të mësoj matematikë të lartë? Ne nuk jemi një vend që prodhon, më shumë jemi vend që konsumon. Ky model tregtar i vendit e dëmton sigurisht edhe nivelin e dijeve që jep shkolla. Shkolla ka tre funksione. E para, të edukojë qytetarin e kulturuar, e dyta, të prodhojë elitën shkencore të kombit, e treta, të krijojë njeriun e zanateve praktike. Ne tashmë jemi ende te një shkollë sasiore, masive, ndërkohë që na duhet edhe një sistem shkollor që prodhon elitat.

2. Restaurimi politik, ekonomik dhe shoqëror qe i pamundur. Është i pamundur në parim. U tregua i pamundur edhe në rastin shqiptar. Për ata që termi është paksa i huaj mund të them më shkoqur se restaurimi, ose restauracioni, ose rikthimi i elitave politike, ekonomike, kulturore, fetare, financiare i viteve 30 të shekullit të kaluar ishte i pamundur.

Shumë mirë nëse vërtet do të paguhen pronarët e tokave sipas disa kritereve më të plota sasiore. Por, kjo është tashmë vonë. Dëmi që ato kanë pësuar është i pariparueshëm. Po t’i kishin marrë këto toka dhe pasuri qysh në vitet e para nëntëdhjetë, ata do të ishin bërë sot shtresa sunduese politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht. Sot ajo pasuri që do t’u shpërblehet në lekë vlen vetëm sa për të mbijetuar, por jo për të zënë një vend në shoqërinë e sferave të larta. Ta marrësh një pasuri njëzet vjet më vonë, kur të tjerët i kanë zënë vendet në treg, kur kanë akumuluar pasuri të pashoqe, kjo do të thotë të jesh i humbur. Humbja është e pariparueshme. Për këtë kanë përgjegjësinë e tyre edhe përfaqësuesit politikë të ish-pronarëve të cilët me një antikomunizëm të skajshëm, shpeshherë artificial, e trembën masën e elektoratit, sidomos atë rural, i cili kurrë nuk ia u dha votën. Tremben. Iniciativën e ndryshimeve dhe reformave në vend e morën shtresa të tjera shoqërore dhe jo ish-pronarët. Këta të fundit, më vjen keq ta them, vetëm u ankuan, por nuk dolën dot në hapësirën publike me projekte politike të besueshme. Ata dolën me një program politik që dukej shumë egoist: Na jepni pasuritë tona. Por, një revolucion demokratik është vepër e shumicës së elektoratit dhe brenda kësaj logjike politike shumica kurrë nuk pranon të respektojë të drejtat e pakicës kur kjo e fundit nuk artikulon një të folur politik që të duket jo egoist, jo privat, por kolektiv. Hapësira publike nuk mund të privatizohet. Politika është skena ku artikulohet një i folur sipas interesit të përgjithshëm dhe jo sipas interesave private. Përndryshe nuk ecet. Ky ishte një gabim kolosal i ish-klasave të përmbysura nga komunizmi në periudhën pas përmbysjes së komunizmit. Përmbysja e përmbysjes nuk u krye në formën e rikthimit në gjendjen e mëparshme.

Ish-pronarët e pasurive të patundshme, të tokave sidomos, nuk gjetën dot as mbështetjen e Evropës. Evropa sot është nën influencën e pushtetit financiar dhe jo aq të kapitalit të tokës. Midis këtyre dy grupeve shoqërore, veç harmonisë ka edhe konflikte interesash. Sa jeta është i vjetër konflikti midis fshatarit dhe bankierit, borxhliut dhe kreditorit të tij. Nga shumë qarqe jashtë vendit, elita e dikurshme e tokave në vendet e Lindjes u etiketua me paragjykim si e gatshme për një nacionalizëm të skajshëm si edhe për fondamentalizma fetare të të gjitha llojeve, të cilat Evropa nuk i pranon. Ishte një çështje perceptimi që u formësua gradualisht. Po kështu edhe ana demografike ka luajtur rolin e vet. Ndërkohë që të gjithë pasunarët e rinj po e akumulojnë kapitalin vrullshëm, ish-pronarët po e ndajnë atë në pjesë të pafundme sepse nga ish-gjyshi i pasur sot kanë dalë dhjetëra nipër e mbesa që shtohen pa fund. Në kohën e akumulimit, ish-pronarët i janë futur një procesi të kundërt, krejt irracional nga ana ekonomike, pra të thërrmimit të pasurisë të të parëve dhe përdorimit të saj për konsum. Aq më shumë që askush nuk do t’iu paguajë atyre interesat e humbura praj faktit se prona do t’u kthehet me shumë vonesë.

Po kështu, eksodi rural që solli zaptimin e tokave ishte, mund ta themi pa frikë, revolucioni më i rëndësishëm social në këto vite. E kush mund ta ndalonte dot atë? Kjo valë demografike e « fshiu » mundësinë për t’iu kthyer tokat ish-pronarëve të tokave. Pasuritë e vjetra i mori ish-pronari i qyteteve, kryesisht në disa zona ku rendi publik ka qenë disi më i qetë, aventurieri urban i guximshëm dhe cinik, nëpunësi, ish-komunisti që startoi i pari duke përfituar nga privilegjet e tija të dikurshme.

Pronarët e tokave mbetën të trajtuar si kulakë. Pra, mbetën në statusin e të përmbysurit. Brenda këtyre njëqind vjetëve të fundit, ata kanë pësuar tri disfata të rënda politike, në fillim nga modernizimi, pastaj nga totalitarizmi, pastaj nga demokratizmi. Ky shekull nuk ka qenë i favorshëm për ta. Fati i hekurt. Zaten edhe kundërreforma e kishës dështoi. Edhe restaurimi i monarkisë absolute dështoi. Kthimi prapa qenka i pamundur në histori.

3. Nuk shoh ndonjë efekt të madh të aprovimit të Kushtetutës së Kosovës mbi statusin e saj ndërkombëtar. Ndonëse me lidhje, ato janë dy procese disi të ndara.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›