Grabiani rrëzë kodrave, i Lekë Tasit
Në mes të botimeve letrare të kohëve të fundit, doli në dritë edhe libri i kujtimeve të viteve të internimit nga Lekë Tasi. Pas përmbysjes së diktaturës, ka pasur mjaft shkrime të tilla.
Por, në qoftë se këtë lëmë të letrave do ta krahasonim me një lëndinë malore, atëherë këtu do të vërejmë shumë bimë të ndryshme, barëra të këqija dhe, aty këtu, edhe lule. Pa pasur frikë se gaboj në këtë rast, jam i mendimit se libri i Lekës është një lule e rrallë. E jo sa për të thënë. Kam argumente të mjafta për këtë pohim; disa prej tyre le t'i shohim më poshtë.
"Grabiani rrëzë kodrave"... ja tabloja e dhënë me një penelat. (Autori është edhe piktor). Kjo ngjan si me portën e ferrit dantesk, ku janë shkruar fjalët që paralajmërojnë atë që ndodh prapa saj. Kështu, titulli i librit na paralajmëron kalvarin që fshihet prapa tij. Për të hyrë atje, ne do të jemi vizitorë si Danteja në ferr, por prijës kemi autorin, në vend të Virgjilit.
Teksti nuk është një prozë e zakonshme me gjithë thjeshtësinë kristalore dhe elegancën e stilit, por siç thotë me të drejtë Petro Zheji në parathënien: "Ka pasazhe kaq të nginjura me poezi, sa mund të vështrohen si prova të një virtuozizmi të rrallë."
Libri është hartuar në formë ditari, një kujtesë e mahnitshme, sepse në kushtet ku ka rrojtur autori, nuk ka pasur asnjë mundësi për të mbajtur ditar. (Ai do të përbënte një dëshmi të pakundërshtueshme për inkuizicionin e kuq, prej të cilit nuk mund të kihej shpëtim.)
Dhe, që me datën e parë, ne ndodhemi brenda në ferr. Nuk ka hyrje, as limb. E kjo tregohet me një qartësi të ftohtë, të ngrirë, ku mpirja nuk lë asnjë shteg emocioni. Që në rreshtat e parë lexojmë: "...çuditërisht e kam zemrën e lehtë, me shpresë".
E që këtu ne shohim që kemi të bëjmë me një optimist të vendosur, një stoik. E kjo, jo se është i pandjeshëm, përkundrazi. Ata që e kanë njohur e dinë që ai ka ndjenja shumë të holla, e pastaj, si të thuash, "të kultivuara" përmes arteve të bukura që ka ushtruar: pikturë, muzikë edhe poezi.
Kjo ndjeshmëri e një shkalle të lartë bën stoikët. Ai e ndjen veten sipas thënies së famshme të Beethoven-it, "Gëzim përmes vuajtjes". Kështu do t'i shënojë ngjarjet që do të vijnë - siç thotë vetë - si një spektator i mënjanuar.
Në Tiranë - shkruan ai - kam bërë një jetë monotone vitet e fundit, deri diku të rehatshme (ai pat rrojtur me anë të profesionit të muzikantit, si violonçelist në Teatrin e Operës) tani filloi të lëvizë prapë indikatori, gjilpëra...
Sikur i gëzohet kësaj! E të shprehësh objektivisht përshtypjet subjektive, nuk është vetëm e vështirë, por një paradoks - do të thoshte dikush. E a nuk është paradoksal vetë realiteti? "Ç'gjë për mua është më fantastike se realiteti?", ka thënë Dostojevski.
Datat e këtij ditari të akullt rrokullisen njëra pas tjetrës e, ndonjëherë kthehen mbrapsht, siç lëviz mendimi, me shpejtësi të pallogaritshme. Vite të zymta stuhish së "luftës së klasave". Çdo eveniment, i jashtëm apo i brendshëm, do të trondiste sistemin, do t'ia plasariste muret e ky do të shoqërohej me trysni ndaj shtresës së të "deklasuarve".
Kështu, tërmeti i Revolucionit Hungarez (1956), përçarja e të ashtuquajturit "kamp socialist" dhe izolimi gjithnjë e më tepër i regjimit obskurantist të Hoxhës, goditja e kultit të Stalinit, ndonjë vizitë si ajo e Çu En Lait, etj..., ishin ngjarje që shtrëngonin morsën e makinerisë diabolike të diktaturës së kuqe.
Dëboheshin apo internoheshin familje të tëra në gjithë vendin, e sidomos në Tiranë. Njiheshin me gisht familjet fisnike, patriotike, të shquara për edukatë e moral të lartë. Këto veti përbënin një rrezik, një pengesë për formimin e "njeriut të ri", robotin me të cilin do të realizohej ajo ëndërr e çmendur, e shkruar në letër.
Nëntitulli i librit është "Skena, personazhe e historia nga vendi i internimit". Fillon me paraqitjen e vendit. Frazat të shkurtra, të qarta. Nuk vërehet as ndjehet ndonjë përpjekje për shprehje të bukura.
Ka një natyrshmëri, një thjeshtësi që të bën për vete, që ke qejf ta shohësh apo ta dëgjosh. Këtu është sekreti: kur ke hyrë në brendësi të tekstit, harron që është dikush tjetër që tregon, por që je vetë duke e parë, duke e dëgjuar, duke e përjetuar.
Ai shkruan: "Vendi është vërtet i bukur, s'kam ç'të them dhe nga larg palat e pyjeve duken të kadifta". Pra, natyra është e pafajshme, e, si e tillë, është e dashur... Dhuna nuk e do atë, por e shpërfytyron duke e bërë vegël torture.
Vendbanimet janë përdhosur, aty grumbullohen "mëkatarët" pa mëkat. Kjo sepse kështu e do tragjikomedia e absurdes. Këtu janë "personazhet" e ardhur nga të katër anët e Shqipërisë.
Aty janë edhe vendasit, të cilët jetojnë në të njëjtat kushte. Pastaj vijnë veglat e diktaturës: të plotfuqishmit (policë), përgjegjës sektori, brigadierë dhe mbi të gjithë sekretarë partie. Të gjithë janë të palumtur, skllevër e tiranë, të shtypur e shtypës, të mirë e të këqij. Kjo është filozofia klasike e ferrit.
Një galeri e tërë tipash, karakteresh, figurash, hijesh, që lëvizin pa e ditur pse, në marrëdhënie të imponuara, ndonjëherë çuditërisht harmonike, por gjithmonë nën ligjin e shurdhër të xhunglës.
Një praktikë ku bien poshtë teoritë, idealet, ëndrrat e ku sundon primitiviteti i natyrës groteske, cinike. E, megjithatë, fryma e gjallë (L'esprit) e mbushur me shpresë, siç ka thënë Gëte: "Sido që të jetë, jeta është e bukur".
Këtej lind shpresa që, shpeshherë, është profetike. Kështu, në pjesën e fundit të librit, fillimisht përshkruhen simptomat, pastaj krizat, e më në fund rënia e sistemit skllavërues. Nuk ka natë që s'ka të gdhirë, sado qoftë e gjatë (Shekspir). E kjo bëhet jo në mënyrë teorike, por duke paraqitur fakte, në mënyrën më të natyrshme, më të qartë, kuptimplotë e pra, madhështore...
Sado që të përpiqemi, vetëm me anë të një artikulli nuk mund ta vëmë në dijeni plotësisht lexuesin mbi përmbajtjen dhe formën e librit që i referohemi.
Prandaj mendoj që lexuesi i sotëm shqiptar, në qoftë se do ta njohë të kaluarën e popullit të tij, nuk duhet të ndalet vetëm në shkrimet historike, në dokumente arkivore e sidomos në thashetheme, por duhet të gjejë rrëfimet e sinqerta, sidomos të atyre që kanë vuajtur.
E është një fat i madh pastaj kur ky është një intelektual i mirëfilltë, një aristokrat në kuptimin e lartë të kësaj fjale, një besimtar i ndriçuar, një humanist e, më në fund një që ka "amor fati"-n, një martir që e meriton plotësisht lavdinë e kurorës me gjemba. Një i tillë, pa dyshim është autori i kësaj vepre të shkëlqyer, miku dhe bashkëvuajtësi ynë, Lekë Tasi. Përkthyes