E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria aplikon në BE Kusht mbeten zgjedhjet

Berisha paraqet kërkesën zyrtare. Kryeministri çek shprehet se ka ende punë për t'u bërë, ndërsa Komisioni Europian e vë theksin tek zgjedhjet e lira.


TIRANË- Përmes një ceremonie të veçantë, Kryeministri Sali Berisha i dorëzoi
zyrtarisht në Pragë, Kryeministrit të Republikës Çeke, Mirek Topolanek, në cilësinë e Presidentit të radhës të Bashkimit Europian, kërkesën për anëtarësim në BE të Republikës së Shqipërisë.

Para godinës së qeverisë çeke, në prani të Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin në BE, Michael Leigh, si dhe delegacioneve të dy vendeve, Kryeministri Berisha bëri kërkesën zyrtare. Kryeministri garantoi gjatë fjalës së tij se këtë proces, ai e shikonte si obligim, që duhet të jetë i bazuar në arritje.

"Dëshiroj t'ju garantoj zoti Kryeministër, të siguroj zotin Leight, Drejtor i Zgjerimit në Komisionin Europian, vendet anëtare të BE-së, se Shqipëria e merr këtë moment si një obligim të madh dhe e konsideron këtë si një proces, i cili duhet dhe do të jetë totalisht i bazuar në arritje. Ai është një motivim i madh i qeverisë dhe kombit tim për të punuar për këtë projekt historik",- tha Berisha.


Topolanek


Ndërsa Kryeministri i Çekisë, Mirek Topolanek, deklaroi se procesi i zgjerimit ka kriteret e kushtet e veta specifike.

Ai theksoi se përpara Shqipërisë ka ende një punë të madhe për t'u bërë. "Shqipëria është në të njëjtën rrugë, nëpër të cilën ka kaluar edhe Republika Çeke. Sot, ajo është anëtare e NATO-s.

Pas ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit, më 18 maj do të bëhet takimi i parë i Këshillit të Stabilizim Asocimit dhe sot, Shqipëria po dorëzon aplikimin e saj për anëtarësim në BE. Pas dorëzimit të aplikimit do të fillojë procesi standard",- tha Kryeministri i Çekisë.

Ai sqaroi se pas dorëzimit të kërkesës, ky aplikim do të kalojë në duart e zotit Havier Solana dhe kështu, do të fillojë procesi i shqyrtimit. Kjo procedurë, sipas tij, mund të miratohet gjatë presidencës së ardhshme suedeze të BE-së.


Zgjedhjet e lira


Kërkesa për aplikimin në cilësinë e statusit të vendit kandidat është vetëm fillimi i një pune të vështirë për Shqipërinë. Drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në BE, Michael Leigh, u shpreh se, Komisioni Europian e mirëpret kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në BE.

Por, përpos arritjes së reformave kyçe për vendin, Drejtori për Zgjerimin deklaroi, gjithashtu, se u takon shqiptarëve që të shfaqin aftësitë dhe kapacitetet e tyre, për të kaluar në etapën tjetër të integrimit drejt BE-së. "Kjo do të thotë forcim i zbatimit të ligjit. Mbajtja e zgjedhjeve parlamentare në qershor, në mënyrë të lirë e të ndershme, mbetet një kusht kyç.

Perspektiva europiane për Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit, është thelbësore për stabilitetin dhe begatinë e këtij rajoni, ashtu si edhe për gjithë BE-në, për të bërë përparim solid në reformat ekonomike, për të krijuar një mjedis të favorshëm për bashkëpunim ekonomik, që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat në BE, falë meritave të tyre personale, duke pasur si qëllim e synim anëtarësimin e plotë në BE",- tha Leigh.


Zëdhënësi i Kryeministrit të Çekisë sqaron detyrat që duhet të plotësojë Shqipëria.

Çekia: Anëtarësimi, proces i vështirë

TIRANË- Presidenca çeke e Bashkimit Evropian thotë se inkurajon Shqipërinë të plotësojë të gjitha kushtet dhe kriteret për anëtarësim në BE.

Duke folur për "BBC"-në në shqip, pas ceremonisë së dorëzimit të aplikimit për anëtarësi në BE nga Kryeministri shqiptar Sali Berisha, zëdhënësi i presidencës çeke, Jiri Potuznik, paralajmëroi për një proces të vështirë anëtarësimi, "duke pasur parasysh gjendjen e tanishme ekonomike dhe riorganizimin e brendshëm të institucioneve evropiane".


Zoti Potuznik, çfarë do të ndodhë tani me aplikimin e Shqipërisë?


Tani, sigurisht i përket Shqipërisë të plotësojë të gjitha kushtet dhe kriteret e nevojshme, që janë të detyrueshme për anëtarësimin përfundimtar në BE. Dhe, gjithashtu, i takon Bashkimit Evropian që të konsiderojë kapacitetin e tij për zgjerim të mëtejshëm.

Siç e dini, ndoshta, duke pasur parasysh gjendjen e tanishme ekonomike dhe riorganizimin e brendshëm të institucioneve evropiane, kjo e bën ndoshta gjendjen pak më të vështirë, por në të njëjtën kohë edhe më të rëndësishme.


Mos ky aplikim tani do të futet në sirtarët e BE-së për t'u trajtuar nga presidencat e ardhshme të BE-së?


Sigurisht. Zgjerimi nuk është një përparësi e presidencës çeke, por është një proces i të gjithë Bashkimit Evropian. Siç mund ta dini, Drejtori i Përgjithshëm i Komisionit Evropian për zgjerimin, Michael Leigh, mori pjesë në ceremoninë e sotme në Pragë dhe ai vuri në dukje se ata besojnë që Shqipëria do të jetë e aftë të ruajë sundimin e ligjit, dhe që zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të kalojnë në mënyrë të ligjshme, dhe do të përmbushen gjithashtu edhe hapat e tjerë të rëndësishëm për anëtarësimin.
Marrë nga "BBC" në shqip

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›