Vidhet kasaforta gjysmë miliardë lekë
Persona të panjohur kanë vjedhur në mënyrë spektakolare 540 milionë lekë nga apartamenti i ndërtuesit Ilirian Çelaj
Vjedhja ndodhi dje në mëngjes në qendër të Tiranës, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës.
TIRANE- Vjedhje spektakolare e 540 milionë lekëve, në apartamentin e biznesmenit të ndërtimit Ilirjan Çelaj, në rrugën "Hamit Shijaku", fare pranë bulevardit "Zogu i Parë", pranë fakultetit të Shkencave të Natyrës.
Ngjarja që do ta kishin zili edhe superhajdutët më të mëdhenj, ndodhi mëngjesin e djeshëm në kryeqytet në katin e nëntë të një pallati të ri të përfunduar vetëm një vit më parë.
Autorët kanë mundur të nxjerrin nga kati i nëntë i pallatit ku ndodhej apartamenti i ndërtuesit, kasafortën e rëndë me peshë prej afërsisht 500 kg. Pasi kasaforta është zbritur në katin e parë, autorët besohet se kanë ngarkuar kutinë prej çeliku, në një furgon që më pas është larguar nëpërmjet një rrugice që të nxjerr në rrugën "Haxhi Dalliu", rreth 100 metra mbi Prokurorinë e Tiranës.
Autorët kanë mundur të hyjnë në katin e fundit të pallatit nëpërmjet një apartamenti që ndodhet poshtë shtëpisë së pronarit, i cili sipas burimeve prej pak ditësh ndodhej në Budapest të Hungarisë. Autorët kanë prishur bravën e apartamentit të pabanuar me oksigjen dhe më pas nëpërmjet ballkonit kanë hyrë në banesën e biznesmenit prej nga kanë nxjerrë edhe kasafortën.
Gjithçka ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 5:00 të mëngjesit, ndërsa asnjë prej fqinjëve nuk ka dëgjuar kurrfarë zhurme. Policia është njoftuar vetëm dje pasdite nga një kushëri i pronarit, që kishte mbërritur në banesë pasi kishte marrë një telefonatë nga pronari që i kërkonte të verifikonte se çfarë bëhej në banesën e tij, katin fundit të apartamentit që ishte në katin e nëntë të pallatit.
Policia që ka mbërritur në vendin e ngjarjes ka nisur menjëherë hetimet me qëllim zbardhjen e autorëve të krimit. Ekspertët kriminalistë të policisë kanë kryer një sërë veprimesh hetimore, si këqyrje e vendit të ngjarjes, marrje e dëshmive të ndryshme të banorëve të pallatit etj.
Policia ende nuk ka persona të dyshuar konkretë mbi ngjarjen, ndërsa hetimet e saj janë drejtuar mbi një grup personash, identitetet e të cilëve nuk janë bërë të ditur. Por sipas saj, autorët kanë qenë së paku 6 apo 7 persona të fuqishëm dhe të aftë për të lëvizur një objekt që peshonte mbi gjysmë toni. Ndërkaq hetimi, ka nisur thuajse rreth 12 orë me vonesë, kur policia është njoftuar nga një i afërm i pronarit.
Dyer të blinduara
Pak ditë më parë, ndërtuesi Ilirjan Çelaj ishte larguar nga Shqipëria në drejtim të Hungarisë në Budapestit, për punë të tij personale. Ndërkaq kati i nëntë në të cilin ndodheshin paratë, ku besohet se ishte edhe zyra e Çelajt, tashmë ishte e pa ruajtur. Për shumën e majme të parave që ai mbante në banesë, ai kishte menduar një zgjidhje që shumë kujt mund t'i dukej e drejtë.
Një kasafortë që peshonte rreth 400 kg me disa shkallë sigurie ishte montuar në zyrën e tij. Ndërkaq apartamenti i tij, me një sipërfaqe rreth 300 metra katrorë ne katin e fundit të pallatit kishte disa nivele sigurie gjithashtu.
Dera që ndodhej pranë shkallëve që të çonin në katin e tetë ishte hapi i parë. Një banor i zonës, rreth 45 vjeç pohon se Çelaj, kishte edhe tri dyer të brendshme të bilnduara përpara mbërritjes tek kasaforta. Pra idea e vjedhjes gjithkujt në këtë situatë mund t'i dukej çmenduri.
Nisur nga nivelet e sigurisë që kishte ngritur vetë dhe sofistikuara ndërtuesi, dukej se e kishte fjetur mendjen një herë e mirë mbi sigurinë e parave të tij. Por nuk ndodhi kështu dje pasi sasia e parave që shumë kujt mund të mos i kenë rënë në dorë, u përlanë në pak minuta, bashkë me kasafortën super të rëndë dhe super të sigurtë.
Ekspertët kriminalistë të policisë kanë kryer një sërë veprimesh hetimore, si këqyrje e vendit të ngjarjes, marrje e dëshmive të ndryshme të banorëve të pallatit etj.
Policia ende nuk ka persona të dyshuar konkretë mbi ngjarjen, ndërsa hetimet e saj janë drejtuar mbi një grup personash, identitetet e të cilëve nuk janë bërë të ditur. Por sipas saj, autorët kanë qenë së paku 6 apo 7 persona të fuqishëm dhe të aftë për të lëvizur një objekt që peshonte mbi gjysmë toni.
7 persona dyshohet së paku se mund të kenë qenë autorët të cilët kanë kryer vjedhjen spektakolare të mëngjesit të ditës së djeshme në kryeqytet.
3 dyer të brendshme kanë qenë të blinduara në apartamentin e ndërtuesit, banesa e të cilit është vjedhur në rrugën "Hamit Shijaku", nga persona ende të paidentifikuar
540 milionë është shuma e vjedhur në apartamentin e biznesmenit të ndërtimit, Ilirjan Çelaj, në rrugën "Hamit Shijaku", pranë fakultetit të Shkencave të Natyrës
Dyshimi, autorët "blenë" informacion
Vjedhja e sasisë së paparë të parave, është konsideruar nga hetuesit e drejtorisë së Policisë së Tiranës, si rasti unikal i një vjedhjeje të kësaj natyre. Sipas tyre, asnjëherë më parë nuk është vjedhur ndonjë sasi e tillë parash.
Po kështu ajo çka iu ka bërë përshtypje hetuesve ka qenë edhe mekanizmi i vjedhjes së parave. Hyrja në apartamentin e emigrantit dhe më pas drejt në vendin ku ndodheshin paratë është cilësuar si tepër e menduar nga autorët.
"Nuk ka dyshim që personat kanë pasur dijeni të plotë mbi mënyrën se si e kishte ngritur sistemin e sigurisë pronari i apartamentit",- tha dje një nga banorët e pallatit, që refuzoi të identifikohej. Ndërkaq hetuesit dhe ekspertët përkatës, kanë pohuar se një realizim i tillë dhe një mendim deri në detaje i të gjithë skemës, iu ka lënë atyre shumë pak vend për të menduar personin që duhej të shoqëronin. Për ta një gjë ka qenë e qartë.
Duke qenë se realizimi ka qenë tepër i saktë dhe informacioni po ashtu, kjo do të thoshte se edhe njerëzit mund të ishin "pranë" me të dëmtuarin. "Nëse nuk ka qenë kështu sipas tyre pa diskutim që duhet të ketë pasur rrjedhje informacioni, që ka mbërritur deri në veshët e autorëve,- pohoi për "Shekullin", një burim nga drejtoria e Policisë së kryeqytetit.