E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabisin 10 mijë euro në një pikë “Uestern Union”

FIER- Rreth 10 mijë euro dhe 500 mijë lekë janë vjedhur në një pikë “Uestern Union” në mesditën e së premtes. Ngjarja ka ndodhur në qytezën e Levanit rrethi Fier. Ka qenë ora 13.00 kur dy persona të maskuar, me armë, janë futur brenda godinës, në katin e parë të saj, që shërbente si agjenci këmbim parash. Ata kanë qenë të maskuar me syza dhe me kapuç. Ndërsa janë futur në brendësi të agjencisë nuk kanë hezituar por sipas edhe planit paraprak të vjedhjes, kanë nxjerrë armën tip pistoletë dhe duke përfituar nga mosprania e klientëve në agjenci, ia kanë drejtuar atë punonjëses që shërbente në sportel në ato çaste. Fillimisht, sipas dëshmitarëve, punonjësja ka hezituar t’i përgjigjet thirrjes së tyre për të dorëzuar paratë. Por tyta e ftohtë e pistoletës dhe kërcënimi i tyre se do të qëllonin mbi trupin e saj, nëse nuk dorëzonte sasinë e të hollave që kishte në sirtar atë çast, e kanë detyruar punonjësen të dorëzonte në dorën e keqbërësve shumën prej rreth dhjetë mijë euro dhe pesë milionë lekë të vjetra. Pasi kanë rrëmbyer të hollat, keqbërësit kanë dalë prej godinës, ndërsa i kanë thënë punonjëses se nëse fliste ato çaste do të vritej menjëherë. Në hyrjen e godinës që ndodhet në rrugën kryesore të qytezës, rrugë e cila shërben dhe si pjesë e aksit kombëtar Fier-Vlorë, ata kanë ndeshur me një të afërm të moshuar të punonjëses. Ky i fundit është përpjekur t’i ndalë keqbërësit madje, i ka ndjekur për rreth 20 metra me vrap, por kur këta të fundit e kanë kërcënuar se do ta qëllonin edhe ai është tërhequr. Sipas dëshmitarëve, keqbërësit së bashku me të hollat janë larguar me shpejtësi duke u zhdukur mes disa pallateve që janë aty pranë vendit të ngjarjes. Policia nga ana e saj me marrjen e njoftimit është vënë në alarm. Forca të shumta të drejtorisë së policisë janë nisur drejt vendit të ngjarjes. Ndërsa janë ngritur postblloqe në aksin kryesor rrugor Fier-Vlorë. Grupi i ekspertëve ligjorë ka këqyrur imtësisht vendin e ngjarjes, duke mbledhur dëshmi, fakte dhe prova në lidhje me këtë grabitje. Policia është shprehur se po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Kjo është vjedhja e dytë brenda këtij muaji e agjencive të shkëmbimit të valutave. Rreth dy javë më parë një kambist i licencuar në Fier është vjedhur në banesën e tij si dhe është qëlluar me thikë, duke u shtruar më pas në spital në gjendje të rëndë për jetën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›