“Klientët” vjedhin 35 mijë euro në bankën në qendër të Durrësit
DURRËS- Një bankë në qendër të qytetit të Durrësit është vjedhur nga dy persona, të cilët janë paraqitur si klientë në sportelet e saj mëngjesin e djeshëm. Ka qenë ora 09.10 kur te dera e jashtme, e cila ruhej nga një punonjës i policisë private, janë afruar dy persona. Ata kanë mbajtur në kokë kaska dhe nuk u dallohej mirë fytyra, por kanë pyetur nëse banka ka filluar nga puna. Pas marrjes së përgjigjes nga roja, ata janë drejtuar brenda, duke vazhduar më pas te sporteli i arkës. Njëri prej personave në fjalë ka nxjerrë menjëherë një pistoletë, kurse tjetri ka marrë të gjithë shumën që ka pasur sportelistja e bankës në atë kohë. E gjithë grabitja ka zgjatur jo më shumë se 2-3 min, ndërkohë që pas marrjes së një shume të përafërt me 35 mijë euro, kanë dalë me shpejtësi nga banka dhe po ashtu janë larguar drejt rrugicave të qytetit. Policia është njoftuar menjëherë për ngjarjen, ndërsa pas disa minutash aty kanë ardhur efektiva të shumta të policisë kriminale dhe asaj të rendit. Në vendin e ngjarjes ka qenë edhe drejtori i policisë së qarkut, Aleks Hajdari, si dhe zyrtarë të tjerë të strukturave policore si dhe drejtues të kësaj banke. Banka gjendet në fillim të bulevardit kryesor të qytetit, pranë kryqëzimit të valutës. Në kohën kur ka ndodhur grabitja në këtë zonë ka pasur shumë lëvizje dhe grabitësit janë ndihmuar nga ky fakt. Pas marrjes së shenjave në vendin e ngjarjes dhe hetimeve paraprake, burimet e policisë kanë bërë të ditur se, nisur nga deklarimet e stafit të bankës, grabitësit kanë qenë të dy me armë në duar, pistoleta, por pa sqaruar më shumë detaje rreth moshës dhe karakteristikave trupore të tyre. Grabitja e bankës në Durrës i shtohet serisë së vjedhjeve të filialeve të bankave edhe në Tiranë, ndërkohë që zyrtarë të policisë kishin kërkuar kohë më parë marrjen e më shumë masave për sigurinë e saj. Policia shpreson që të hedhë më shumë dritë rreth identitetit të grabitësve pas zbardhjes së kasetave që janë regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat janë instaluar në ambientet e brendshme dhe në hyrje të ndërtesës. Ndërkohë që po dje policia ka marrë dhe dëshminë e punonjëseve si dhe të rojeve që kanë parë dy personat që kryen vjedhjen spektakolare në mes të ditës.