Gjeografi nga Ulqini jep alarmin, për zhdukjen e ishullit tëAdës
Shkodër- Gjeografi i njohur nga Ulqini doktor Nail Draga flet mbi rrezikun që grykëderdhja e Bunës të kthehet në kënetë nëse nuk ndërhyhet, ndërsa vë alarmin edhe për zhdukjen e ishullit të Adës që ndodhet në dalje të lumit. Specialisti nga Mali i Zi, shton se nga studimet e bëra, ishulli Ada i cili këtë vit shënon 130 vjetorin e krijimit të tij, është duke u tkurrur dhe se kërkohen ndërhyrje për të ruajtur ishullin i cili nga erozioni detar nga viti në vit po zvoglohet. “Të dhënat nga hulumtimet e fundit tregojnë se ishulli i Adës është duke u zvogëluar. Një proces i tillë është natyror pasi kemi lëvizje neotektonike nëpër detin Adriatik, nga brekdeti kroat deri në bregdetin shqiptar, ku kjo pjesë e bregdetit fundoset ndërsa pjesa tjetër në bregdetin italian ka ngritje. Në saj të këtij regresioni gjeomorfologjik, pjesa e bregdetit të ishullit të Adës është duke u zvogëluar dukshëm dhe deti ka depërtuar në brendësi të saj”, thotë ai. Kjo sipas tij do bëjë që në të ardhmen ishulli Ada të jetë më i vogël deri në zhdukjen e tij që mendohet se mund të ndodhë pas rreth një shekulli. Sipas të dhënave historike fillimet e këtij ishulli janë në shekullin e XIX-të.Në vitin 1858 anija Merito, pronë e Antun Allegrettit nga Trogiri, nën komandën e kapiten Naporelit, u fundos në lumë. Në këtë vend ekzistonin edhe dy ishuj të vegjël. Supozohet se me kohë, rreth trupit të anijes së fundosur dhe këtyre dy ishujve është mbledhur lymi i lumit prej të cilit më parë është formuar duna e pastaj ishulli i sotëm. Duke dalë mbi sipërfaqen e ujit, ishulli e ka ndarë lumin në dy degë, kurse vetë e ka marrë formën e trakëndëshit. Në drejtim nga rrjedh lumi, ishulli është i gjatë 2,8 km, i gjerë 1,8 km, kurse i lartë 3,4 m. Dy anë të tij i rrah uji i ëmbël i lumit, kurse anën e tretë plazhin ranor, e lajnë valët e detit. Ada është e lidhur me urë mbi degën e djathë të Bunës, e cila e ndan ishullin nga Plazhi i Madh në Ulqin dhe në anën tjeter me Velipojën. Djana Kolaj