Grabisin me armë një lokal bastesh, prangosen
SHIJAK/ Policia ka arrestuar Dorjan Shabën dhe Maringlen Gjokën pasi vodhën me armë 150 000 lekë
SHIJAK - Shkojnë si klientë dhe pasi nuk kanë shans fitimi në skedinat sportive, lekët që synonin t'i fitonin me to i përfitojnë me anë të pistoletës që e mbanin pa leje. Pasi godasin pronarin e lokalit me grushte dhe e plagosin lehtë, ata largohen me paratë e grabitura ne lokal, ndërsa policia me të marrë denoncimin filloi kërkimin duke i vënë në pranga në orët e mbrëmjes.
Sipas të dhënave më datën 21.10.2009 në orën 20:00 është bërë arrestimi në flagrance i dy të rinjve: 23-vjeçarit Dorjan Shaba dhe 21-vjeçarit Maringlen Gjoka, të dy të lindur dhe banues në fshatin Sallmone të Shijakut dhe të punësuar në sektorë privatë.
Grabitja
Kanë qenë orët e pasdites kur dy të rinjtë kanë hyrë në një lokal loto sporti dhe pasi kanë luajtur me skedina, kanë nxjerrë pistoletën dhe kanë grabitur paratë e mbledhura nga aktiviteti i lokalit. Ata janë përleshur edhe me pronarin duke kërcënuar me pistoletë dhe duke e goditur me grushte e më pas janë larguar.
Policia njoftoi arrestimin e tyre, i cili u bë pasi më 21 tetor 2009, rreth orës 14:30 në bashkëpunim me njëri- tjetrin kanë shkuar në qendër të qytetit Shijak në një lokal bastesh në pronësi të Bilbil Xhangos dhe pasi kanë plotësuar disa skedina sportive kanë vjedhur me armë (pistoletë) një shumë parash prej 150 000 lekësh dhe më pas janë larguar.
Policia konfirmon se ata gjatë grabitjes ata kanë plagosur lehtë duke e qëlluar me grushta shtetasin Bilbil Xhango, i cili pas ndihmës mjekësore të marrë, është larguar për në banesën e tij.
Policia
Burimet policore theksojnë se menjëherë pas marrjes së njoftimit për një grabitje të ndodhur, Seksioni për Krimet kundër Pronës në bashkëpunim me komisariatin e Shijakut kanë nisur edhe operacionin për gjetjen dhe arrestimin e autorëve. Kështu rreth një orë nga ngjarja në pranga kanë përfunduar Dorjan Shaba dhe Maringlen Gjoka.
Bëhet e ditur se megjithëse kanë pranuar autorësinë e grabitjes së parave, si dhe pronësinë e një arme, ata janë shprehur se vetëm kanë kërcënuar me pistoletë dhe nuk kanë goditur. Blutë bëjnë të ditur se vijojnë hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur, teksa ndaj dy të rinjve është ngritur akuza e "vjedhjes me armë të kryer në bashkëpunim".