E Diel, 1 Nëntor 2026

Në kërkim italiani, vodhi 15 000 euro me anë të mashtrimit

DURRËS/ Viti Ludoviko, administrator i një firme import-eksporti mashtroi drejtorin e bankës në qytetin bregdetar


DURRËS - Viti Ludoviko, një shtetas 48-vjeçar nga Italia dhe me aktivitet si administrator i një firme import-eksporti në Kuçovë, është shpallur në kërkim nga policia e Durrësit për shkak se akuzohet për kryerjen e veprave penale të "mashtrimit" dhe "falsifikimit të dokumenteve".


Ludoviko është denoncuar nga drejtori i një banke italiane në Durrës për tërheqjen e 15 000 eurove duke përdorur një dokument të falsifikuar, por që është zbuluar nga ana e vetë bankës vetëm tetë muaj më pas.


Ka qenë data 2 shkurt e këtij viti kur Ludoviko është paraqitur në bankën italiane të hapur në Durrës dhe ka treguar një dokument me anë të të cilit vërtetohej se në Aviliana të Italisë ai kishte depozituar një shumë prej 450 000 eurosh.


Duke qenë se italiani punonte në një firmë në qytetin e Kuçovës, ai ka kërkuar që të bëjë një tërheqje prej "vetëm" 15 000 eurosh nga banka. Duke parë fletën që provonte derdhjen e një shume prej pothuaj gjysmë milioni euro, drejtori i bankës i ka dhënë biznesmenit të huaj sasinë e kërkuar të parave.


Por muaj më vonë, pasi midis bankave, asaj në Durrës dhe tjetrës në Itali është bërë rakordimi për llogaritë rrjedhëse, është zbuluar se emri i biznesmenit Viti Ludoviko nuk figuronte në listën e personave të cilët kishin derdhur para në adresë të bankës, ashtu siç kishte premtuar 48-vjeçari në takimin me drejtorin në 2 shkurt të këtij viti.


Si rrjedhojë u bë edhe denoncimi në polici i shtetasit Italian.
Pas informacionit të marrë, policia njoftoi se Seksioni i Luftës Kundër Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës filloi procedimin penal në mungesë në ngarkim të shtetasit italian Viti Ludoviko, i lindur në Bari Itali, administrator i një shoqërie import-eksporti me seli në Kuçovë.


Sipas policisë, procedimi penal në ngarkim të tij filloi për arsye se shtetasi i lartpërmendur nëpërmjet përdorimit të një dokumenti të falsifikuar të bankës "Intesa Sanpaolo Bank" me qendër në Aviliana Itali ka mashtruar drejtorin e degës Durrës më 02.02.2009 duke i marrë një shumë prej 15 000 eurosh.


Sipas këtij dokumenti nga llogaria e tij në Itali ishin xhiruar për në llogarinë e tij në Shqipëri një shumë prej 450 000 eurosh.


Specialistët e kontabilitetit që merren me krimin ekonomik, kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale si dokumentin e pretenduar se i është lëshuar nga banka në Itali, ashtu dhe gjithë dokumentacionin e tërheqjes së parave nga ky shtetas. Policia thekson se po punohet për kapjen e Viti Ludovikos.


Burimet theksojnë se për kapjen e shtetasit italian po punohet me kolegët e shtetit fqinjë, ku edhe mendohet se ndodhet pas mashtrimit të bërë në bankë.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›