Hidrokarburet "mbysin" bregdetin e Semanit dhe fshatrat përreth
FIER/ Pavarësisht premtimeve për nxjerrjen para ligjit të përgjegjësive, situata vazhdon e njëjtë për banorët
FIER - Për të shkuar në bregdetin e Semanit pa dyshim të duhet të kalosh në një urë që lidh bregdetin e Darzesës me atë të Semanit.
Poshtë kësaj ure kalon një lumë, i cili njihet si kanali i Roskovecit. Ky kanal mbledh gjithë mbetjet e hidrokarbureve që vijnë nga zonat naftëmbajtëse të Marinzës, Patosit, të Zharzës e të tjera zona ku kompania e Albpetrolit ka puset e saj. Së bashku me to edhe hedhurina të ndryshme si kafshë të ngordhura e të tjera mbetje që merr rrugës. Të gjitha këto përplasen te këmbët e urës së Hoxharës duke krijuar sipërfaqe të mëdha mbetjesh hidrokarburesh.
E gjithë kjo sasi, e cila kalon në qindra tonë hidrokarbure, derdhet në bregdetin e Semanit apo të Darzesës duke u përhapur në një gjatësi prej më shumë se 13 kilometrash. Janë pikërisht shirat që kanë lëvizur këto ditë këtë sipërfaqe të madhe me hidrokarbure drejt detit.
Para disa muajsh për këtë kanal, ku nuk ishte investuar prej 40 vjetësh, qeveria shqiptare akordoi një fond, i cili mundësoi pastrimin e 46 kilometrave. Ndërsa sot, hidrokarburet e këtyre zonave naftëmbajtëse derdhen në këtë lumë duke krijuar një shqetësim të madh jo vetëm për bregdetin, por edhe për banorët e kësaj zone.
Në fakt, në vitin 2008, gjatë përurimit të ujësjellësit në komunën Topojë, kryeministri Sali Berisha u shpreh se nuk do të lejohej asnjë mbetje hidrokarburesh që të derdhej në këtë kanal. Ai shtoi se do të mbylleshin puset në rast se do të vëreheshin derdhje në det dhe se drejtuesit e Albpetrolit do të mbanin përgjegjësi ligjore.
Por prej asaj kohe, edhe pse deri diku në këtë lumë nuk u derdhën sasira të mëdha, situata nuk ka ndryshuar. Ende sot derdhen qindra tonë mbetje hidrokarburesh. Shpresa e banorëve se pas pastrimit kanali do t'i rikthehej kohës në të cilën peshkonin peshk, duket se është shuar.
Tashmë hidrokarburet dalin më rrjedhshëm në det. Kryetari i komunës Topojë, Sotir Zarka, thotë se shumë herë e ka ngritur zërin. Për të përballuar këtë gjendje, sipas tij, te vendi i quajtur "Ura Sekrete", rreth 200 metra larg nga deti, është ngritur një pritë me hekura. Kjo lloj metode pak primitive ka bërë që sasia e hidrokarbureve të ardhura nga zonat naftëmbajtëse të minimizohet për të mos depërtuar në det.
"Megjithatë, kjo metodë ka edhe anën negative, - thotë kryetari i komunës. - Të gjitha këto mbetje që largohen hidhen mbi argjinaturë duke krijuar një ndotje tjetër për zonën dhe tokën bujqësore".
Ka raste që banorët i vënë flakën me qëllim për t'i zhdukur këto mbetje nafte, por harrojnë se ky tym i zi përhapet gjerësisht në tokat bujqësore, si dhe në banesat e tyre. "Nuk kemi se çfarë të bëjmë. E dimë që kjo është gabim, por nuk kemi se si të veprojmë pasi edhe era që çlirojnë këto mbetje nafte nuk durohet, sidomos kur ka diell",- shprehen banorët.
"Kam tentuar që të hedh në gjyq Albpetrolin. Kam bërë gati edhe dokumentet, por më kanë premtuar se situata do të rregullohet. Por kjo është vetëm një gënjeshtër pasi asgjë nuk po ndodh.
Mbetjet e naftës vazhdojnë të derdhen në këtë lumë dhe ky i fundit i sjell drejt e në bregdet duke u bërë një ndotës jo vetëm në plazhin e Semanit, por edhe në atë të Darzezës, Pishporos e deri në Divjakë, sidomos ku deti është i trazuar",- thotë një banor duke shpresuar se tashmë ministri i ri, që është edhe deputet i zonës, do ta rregullojë këtë situatë të rënduar në vite. K.Thanasi