E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, 40 mijë tonë grurë rrezikojnë mykjen

SKANDALI/ Banorë të fshatit Libonik rrëfejnë se si po myket puna e tyre e një viti pasi nuk gjejnë treg shitjeje


Pavarësisht premtimeve për zhvillimin e ekonomisë vendase, prodhuesit e grurit nuk paguhen për mundin e tyre

KORÇË- Fermerët e një fshati në Korçë jetojnë mes prodhimit të pashitur të grurit, ndërsa mbi 40 mijë ton rrezikojnë të myken. Fermerët që dikur ishin krenaria e prodhimit të grurit për fushën e Maliqit, tashmë jetojnë mes varfërisë, ndonëse punojnë dhe jetën e kanë të lidhur me drithin.


Fshati Libonik në rrethin e Korçës jeton me shqetësimin e shitjes së grurit, ndërkohë që banorët prodhimin e vitit e kanë futur pjesërisht brenda ambienteve në shtëpitë e tyre. Madje më keq akoma.


Pjesa më e madhe e këtyre fermerëve janë përpjekur ta mbajnë atë jashtë pallateve të tyre, duke e mbuluar në forma nga më të ndryshmet për ta mbrojtur nga reshjet e shiut dhe agjentët e tjerë atmosferikë.


Problemi


Liboniku, i cili vazhdon të prodhojë edhe sot shumë grurë, pasi banorët e tij mbjellin vetëm këtë kulturë bujqësore në tokat e tyre, jeton mes tonelatave të tëra prodhim të pashitur. Siç thonë ata vetë në rrëfimet e tyre, një pjesë e këtij prodhimi është trashëguar nga viti i kaluar.


Tonelatat e grurit dergjen jashtë pallateve, ndërsa ankesat e banorëve pranë institucioneve shtetërore shkojnë përherë në vesh të shurdhër. Ata tregojnë se gjatë fushatave elektorale iu premtohet për sigurimin e tregjeve për shitjen e këtij prodhimi, por premtimi harrohet sa mbarojnë votimet.


E njëjta gjë ka ndodhur edhe gjatë këtij viti, ndërsa çmimi që ofrohet në ndonjë rast nga tregtarët që vijnë enkas në këtë fshat është krejt minimal. Ky çmim nuk mund të mbulojë as shpenzimet e një vitit të tërë pune.


Situata në Libonik është e rëndë, ndërsa fermerët nuk dinë se ku të kërkojnë ndihmë. Madje dhe komuna me të njëjtin emër kërkon nga shteti ndërhyrjen për të mos u prishur dhe përfshirë nga myku kjo sasi e jashtëzakonshme drithi.


Reagimi


Historia e pazakontë e këtyre njerëzve përsëritet e pandryshuar prej më shumë se pesë vjetësh. Liboniku vazhdon të prodhojë pambarimisht grurë, i cili përfundon i mykur dhe i prishur, ndërsa sërish ata shpresojnë për politikat bujqësore në favor të tyre nga shteti. Asgjë nga këto nuk ndodh, teksa ata sërish punojnë për të prodhuar drithin e radhës.


Fadile Kodra, 65-vjeçare, tregon për gazetën "Shekulli" se familja e saj ka prodhuar gjatë këtij viti 180 ton grurë, nga të cilat nuk është shitur asnjë kilogram.


"Jemi 6 anëtarë, ndërsa punojmë përgjatë një viti të gjithë me shpresën se do të gjejmë treg për ta shitur. Edhe këtë vit e kemi nxjerrë jashtë pallatit grurin dhe e kemi vendosur në oborr duke u përpjekur ta ambalazhojmë sa më mirë që mos laget nga reshjet e shiut. Kështu si ne kanë vepruar të gjithë, pasi jetesa në apartamente të vogla nuk na jep mundësinë e magazinimit në vendet e duhura.


Kjo na ka bërë që të kemi probleme edhe nga minjtë. Jemi ankuar në institucionet shtetërore, kemi kërkuar dhe ndihmë, kemi shkruar peticione, por askush nuk mendon për ne. Megjithëse na premtuan gjatë fushatës elektorale, na kanë harruar përsëri",- tregon me dhimbje për gazetën "Shekulli" Fadile Kodra.


Por historitë e fermerëve të Libonikut janë të njëjta për të gjithë dhe shqetësimi i pandryshuar. Në këtë vorbull shqetësimesh edhe Komuna e Libonikut nuk ka mbetur pas në iniciativa.


Kreu i saj, Petrit Kupe, në një prononcim për gazetën "Shekulli" tregon se ka kërkuar mbështetje nga strukturat shtetërore, por ka gjetur vetëm indiferencën e shtetit. "Problemi i fermerëve të Libonikut është i vjetër, por drama e tyre bëhet më shqetësuese çdo ditë.


Unë jam përpjekur të çoj zërin e banorëve të mi në instancat e duhura të paktën për nxitjen e ndonjë politike lehtësuese, por shoh ngado indiferencë. Janë mbi 40 mijë ton grurë të të pashitur që gjendet jashtë para pallateve dhe që është mundi dhe djersa e këtyre njerëzve", -thotë Kupe.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›