E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabisin një shtetas, aksidentohen nga vetë ai

TENTATIVA/ Fran Ejllit i kanë vjedhur paratë, por ai i ka ndjekur hajdutët me makinë duke i rimarrë


SHKODËR - Tentohet të grabitet në mes të ditës një shtetas, ndërsa është vetë ai që ndjek grabitësit dhe arrin të shpëtojë çantën me para që i kishin marrë. Ngjarja ka ndodhur në orën 13:30 në rrugën Parrucë- Xhabije të qytetit të Shkodrës.


Fran Ejlli, 49 vjeç, banues në fshatin Beltojë të komunës Berdicë në Shkodër ka qenë duke lëvizur me mjetin e tij tip "Benz" me targë SH 4175 D , nga rruga e lagjes "Salo Halili" në atë të lagjes "Manush Alimani", për të vijuar pastaj në dalje të qytetit drejt Beltojës. Në kthesën ku ndahen dy lagjet, ai ka parkuar automjetin dhe ka dalë prej tij për të hyrë në një dyqan vetëm 4 metra më tej, ku do të blinte bukën.


Në këtë moment, dy të rinj me një motoçikletë pa targa janë afruar pranë mjetit që ishte i ndezur, kanë hapur derën e prapme të tij dhe kanë marrë aty një çantë, në të cilën 49- vjeçari kishte paratë. Veprimet e tyre janë parë nga Fran Ejlli që po blinte në dyqanin që nga mjeti e ndante vetëm gjerësia e trotuarit dhe ka reaguar menjëherë.


Dy të rinjtë me motoçikletë dhe me çantën e grabitur kanë tentuar të largohen, por drejtuesi i mjetit i ka ndjekur pas dhe rreth 50 metra më tej, afër vendqëndrimit të furgonëve të linjës së Velipojës ka mundur t'i ndeshë me mjet dy personat me motoçikletë që po largoheshin bashkë me çantën e grabitur.


Si rezultat i përplasjes, motoçikleta me grabitësit është rrëzuar dhe këta kanë lëshuar çantën duke e lënë aty bashkë me motoçikletën dhe janë larguar me shpejtësi duke vrapuar.


Skena është parë nga mjaft qytetarë, pasi vendi ku ka ndodhur ngjarja ka mjaft lëvizje mjetesh në një krah dhe njerëzish. Policia ka bërë rrethimin e vendit të ngjarjes dhe ka marrë dëshmitë e 49-vjeçarit dhe të personave të tjerë që kanë parë ngjarjen.


Çanta e gjetur e hedhur në tokë pranë motorit u verifikua dhe nga pronari i saj Fran Ejlli, i cili deklaroi se paratë që ndodheshin aty nuk ishin prekur. Ndërkohë, policia po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.


Vjedhjet janë shtuar së tepërmi në Shkodër dhe ndonëse policia ka arritur të dokumentojë dhe ndalojë mjaft persona, dënimet e tyre janë të ulëta duke bërë që këta të dalin shpejt nga burgu dhe t'i rikthehen aktivitetit të tyre.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›