E Diel, 1 Nëntor 2026

Lëvizja Europiane: Probleme me kartat, partitë të gjejnë zgjidhje

Lëvizja Europiane në Shqipëri evidenton një sërë problemesh nga monitorimi i procesit të pajisjes me karta. Paralajmërohet rreziku i mospajisjes së qytetarëve me karta identiteti


TIRANË- Lëvizja Europiane në Shqipëri vëren probleme në procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti.


Projekti i realizuar nga kjo lëvizje, "Monitorimi i pajisjes se qytetareve me letërnjoftimin elektronik" dhe që prek tre qarqe të rëndësishme, si Tirana, Durrësi dhe Shkodra, synon të rrisë shkallën e transparencës së këtij procesi, si një ndër aspektet kryesore për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.


Sipas drejtuesit të Lëvizjes Europiane, Gledis Gjipali, ekziston mundësia që një pjesë e mirë e votuesve të mbeten pa u pajisur me kartën e identitetit.


"Duke llogaritur datën që jemi sot dhe afrimin e zgjedhjeve, ka rrezik që një pjesë e personave që kanë aplikuar të mos kenë mundësi të pajisjen me kartën e identitetit", - tha Gjipali gjatë prezantimit të këtij projekti, që është financiar nga Ambasada e SHBA-së në Tiranë.


Sipas tij, afrimi i datës së zgjedhjeve kërkon një reagim sa më të shpejtë nga të gjithë aktorët e interesuar për këtë proces kaq të rëndësishëm, mbarëvajtja e të cilit është kusht për realizimin korrekt të zgjedhjeve.


Kjo lëvizje u bën thirrje aktorëve politikë që të gjejnë një zgjidhje ligjore për t'u mundësuar qytetarëve, të cilët nuk arrijnë të pajisen me dokumente identifikimi, që të ushtrojnë të drejtën e votës.


Vërejtjet


Raporti vëren se që me nisjen në janar të aplikimeve, procesi është shoqëruar me një fluks aktesh ligjore dhe nënligjore, duke ndikuar negativisht në qartësinë dhe qëndrueshmërinë e tij.


Sipas kësaj lëvizjeje, në një periudhë 5-mujore janë ndërmarrë 7 iniciativa ligjore dhe nënligjore me ndikim në proces.


Në të njëjtën kohë, në bazë të verifikimit në terren, Lëvizja Europiane vlerëson se ka munguar një fushatë e mirorganizuar informative, e cila do të duhej të adresonte, të paktën, problemet e shtuara këtij procesi nga ndryshimet e shpeshta ligjore dhe vonesa në nisjen e procesit. Procesi, gjithashtu, nuk është uniform as në elementët kryesorë të tij, siç është orari i punës.


Në bazë të të dhënave të grumbulluara nga intervistat në terren, sipas Lëvizjes Europiane rezulton se 90% e të intervistuarve nuk kanë informacion lidhur me mënyrën dhe masën e rimbursimit.


Nga të dhënat e dala nga monitorimet rezulton një diferencë e madhe midis aplikimeve dhe shpërndarjeve të letërnjoftimeve gjatë ditëve të javës dhe ditëve të fundjavës, ku gjatë fundjavave zyrat qëndrojnë në pjesën më të madhe të kohës bosh, ndërsa gjatë ditëve të javës vihet re një fluks i madh personash.


"Ky fakt ka ndikuar në efektivitetin e procesit dhe ka rënduar situatën gjatë ditëve të javës, ku fluksi i madh i qytetarëve ka dekurajuar ata të aplikojnë apo të tërheqin letërnjoftimin", -thuhet në raportin e përgatitur.


Krahas orareve të gjata në radhë nga ana e qytetarëve, raporti i përgatitur nxjerr në pah edhe mjaft probleme të infrastrukturës, që lidhen me ndërprerjen e energjisë elektrike në qendra e aplikimit, ndërprerje të internetit dhe defekte në sistemin kompjuterik, problemeve me vendlindjen, datëlindjen, emrin, mbiemrin.


Një tjetër problem jo i vogël është edhe kohëzgjatja mesatare për tërheqjen e letërnjoftimit. Sipas raportit, kohëzgjatja më e shkurtër për tërheqjen e letërnjoftimit nga dita e aplikimit është 14 ditë, ndërsa më e gjata është 125 ditë nga dita e bërjes së aplikimit.


Sipas të dhënave të grumbulluara në terren, mesatarisht, për qytetin e Tiranës kohëzgjatja për tërheqjen e letërnjoftimit elektronik është 40.7 ditë nga dita e aplikimit; për qytetin e Durrësit është 26 ditë nga dita e kryerjes së aplikimit; për qytetin e Shkodrës është 38 ditë nga dita e kryerjes së aplikimit.


Rekomandime


Krahas thirrjes për forcat politike që të gjejnë një zgjidhje, për ata që duan të ushtrojnë të drejtën e votës, Lëvizja Europiane kërkon nga Ministria e Brendshme që të evidentojë personat pa pasaportë, që nuk kanë aplikuar ende, t'i publikojë këto emra dhe aty ku është e mundur dhe të njoftohen personalisht në bashkëpunim me organet e pushtetit vendor që veprojnë në njësitë përkatëse.


Një tjetër rekomandim është edhe shpallja pranë zyrave të aplikimit dhe tërheqjes, e emrave të personave, të cilëve u është prodhuar letërnjoftimi elektronik dhe nuk e kanë tërhequr ende.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›