E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabisin turistët britanikë, arrestohen dy punonjës fast-food-i

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 05-08-2011 13:51

Tiranë- Pas sulmit të dy turistëve çekë, pak ditë më parë në Kalanë e Dodës, një tjetër sulm regjistrohet në Tiranë. Bëhet fjalë për 3 turistë britanikë, të cilët janë grabitur nga dy të rinj, punonjës të një fast-food-i në Tiranë, të cilët më pas janë arrestuar nga policia. Burime nga Policia e Tiranës bëjnë me dije se të arrestuarit janë Fatjon Basha, 21 vjeç, banues në Kamëz dhe Gazment Mustafa, 21 vjeç, po banues në Kamëz. “Arrestimi i tyre u krye sepse në ngarkim të tyre kanë bërë kallëzim tre shtetas të huaj, të cilët u kanë kërkuar ndihmë për t’u gjetur një hotel”, - thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranës. Autorët u kanë premtuar turistëve se do t’i dërgojnë në një hotel luksoz, por në të vërtetë i kanë dërguar në Kamëz dhe u kanë vjedhur të gjitha sendet personale. Pas dëshmive të marra prej turistëve britanikë, mësohet se këta të fundit kanë qenë në ambientet e fast-food-it ku punonin dy të ndaluarit. Pasi kanë përfunduar ushqimin, i kanë kërkuar dy kamarierëve nëse njihnin ndonjë hotel të mirë, ku mund të qëndronin. Menjëherë Basha dhe Mustafa kanë shprehur gatishmërinë për t’i ndihmuar, duke i thënë se dinin një hotel luksoz, ku mund të qëndronin. Pasi i kanë hipur në automjetin e njërit prej të ndaluarve, janë nisur në drejtim të Kamzës, ku dhe banonin. Aty mësohet se i kanë zbritur nga makina dhe nën kërcënimin se do t’i vrisnin, u kanë marrë të gjitha sendet personale që kishin si dhe një sasi parash. Pas grabitjes, ata janë larguar me shpejtësi, por i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i tre turistëve britanikë, të cilët i janë drejtuar komisariatit nr.5 në Tiranë, ku kanë depozituar kallëzimin e tyre në lidhje me ngjarjen. Menjëherë, forcat e këtij komisariati kanë nisur punën për identifikimin e autorëve, ku një ndihmesë të madhe kanë dhënë dhe vetë turistët, të cilët i kanë treguar se grabitësit ishin punëtorë të një fast-food-i. Pas këtij informacioni, efektivët e komisariatit nr. 5 kanë bashkëpunuar me kolegët e tyre të komisariatit nr.1, pasi në bazë të të dhënave të turistëve, fast-food-i ndodhej në territorin e këtij komisariati. Pas marrjes në pyetje të punëtorëve të tjerë, është bërë i mundur identifikimi i grabitësve dhe gjetja e banesave të tyre. Menjëherë, efektivët e dy komisariateve janë vënë në lëvizje për të bërë të mundur arrestimin e Fatjon Bashës dhe Gazmend Mustafës, të cilët nuk bënë asnjë rezistencë gjatë operacionit për arrestimin e tyre. Mësohet se në momentin e ndalimit u janë sekuestruar sendet e vjedhura si: 300 euro; një pasaportë angleze; kartë krediti si dhe një aparat fotografik. Nga ana tjetër, materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të vjedhjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›