E Diel, 1 Nëntor 2026

Sejdini: “Skampa” do të rindërtohet shumë shpejt

Teatri “Skampa” ishte një nga veprat më të rëndësishme në Elbasan, "Monument Kulture", i ndërtuar në vitin 1932 në variantin italian "La Scala", me akustikën më të mirë në Shqipëri.

Kryebashkiaku Sejdini konfirmoi se institucioni i drejtuar prej tij ka pesë vjet që teatrin së bashkë me objektet e tjera të rëndësishme të qytetit i siguron në kompaninë “Sigal”.

Sipas Sejdinit, kompania do të përgjigjet për rindërtimin e këtij teatri, madje sipas tij, serioziteti i kompanisë shkon më tutje, pasi ekspertët e saj kanë qenë në vendngjarje dhe Bashkia po përgatitet të dorëzojë planvendosjen, inventarin dhe të gjithë kërkesat që kanë ekspertët e “Sigalit”.
     
“Duke pasur bindjen e plotë dhe personale si qytetar i Elbasanit, por edhe si kryebashkiak, pasi nuk ka qytetar elbasanas që të mos ketë një kujtim në atë teatër, ne do ta bëjmë shumë shpejt teatrin ashtu siç ka qenë, por edhe më të bukur, pasi kemi mbështetjen e ‘Sigalit’, si dhe me buxhetin që nevojitet nga Bashkia", theksoi z. Sejdini.
   
Ditën e sotme ai ka zhvilluar një takim me drejtorin e Munumenteve të Kulturës, Apollon Baçe, dhe mësohet se i ka kërkuar që të sjellë aty specialistë të Institutit të Monumenteve.
    
"Dëmi nuk është thjesht në para, në rreth 2 milionë euro, por është një dëm moral i madh për qytetin dhe qytetarët e Elbasanit. Kjo është shumë prekëse, pasi ne qytetarëve na dhimbset ai objekt i vetëm kulturor që ka mbetur në qytet”, shton Sejdini.
     
Kryebashkiaku i Elbasanit lëshoi sërish kritika të ashpra në drejtim të efektivëve zjarrfikës, sipas të cilit, treguan mungesë gatishmërie, profesionalizmi, mjetesh, dhe gjithçkaje tjetër që kishte lidhje me punën e tyre.
     
"Duke qenë se kam qenë prefekt i qarkut, e njoh këtë sektor. Më vjen keq të them se mungonin profesionistët, më vjen keq të shprehem, por me atë repart zjarrfikësish qyteti ynë nuk është i sigurte", theksoi z. Sejdini, duke premtuar se Bashkia do të hapë vetë një tjetër sektor zjarrfikësish, që të jetë nën administrimin e saj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›