E Diel, 1 Nëntor 2026

Pranga në Vlorë bosit të “Ndragetës”, kërkohej nga 5 shtete për 1.5 ton kokainë

SHKRUAN: Habjon Hasani 05-08-2011 13:49

Arrestohet në Vlorë një anëtar i organizatës mafioze kalabreze “Ndrageta”. Giuseppe Simonelli, 32-vjeçari i njohur me nofkën “Pako”, kishte ardhur në qytetin e Vlorës për pushime, por përfundoi në pranga, mëngjesin e djeshëm, si i kërkuar nga pesë shtete për trafik kokaine. Policia e Vlorës, por edhe mediat italiane, bëjnë me dije se arrestimi i tij ka ardhur në kuadër të një operacioni ndërkombëtar që përfshin Shtetet e Bashkuara, Kolumbinë, Spanjën, Italinë dhe Shqipërinë, në lidhje me hetimin e trafikimit të 1.5 ton kokainë nga Kolumbia drejt brigjeve italiane. Operacioni ndërkombëtar i koduar me emrin “Lidhja e dy kullave” përfundoi me arrestimin e 14 personave në pesë shtete të ndryshme, ndërsa “gjahu” i kapur dje në Vlorë, 32-vjeçari Simonelli, duket se është një ndër krerët më kryesorë të organizatës. Sipas hetimeve të bëra nga DEA amerikane dhe prokuroria e Bolonjës në Itali, Simonelli ka luajtur rolin kyç të ndërlidhjes dhe gjetjes së rrugëve të bashkëpunimit mes bosëve të kartelit në Kolumbi dhe bosëve të tij italianë, që drejtojnë organizatën “Ndrageta”. Simonelli ka mbërritur në Shqipëri pasditen e së shtunës, ndërsa të dielën ka udhëtuar drejt Vlorës, ku e prisnin dhe dy miq të tij italianë dhe një shtetase shqiptare, e martuar me njërin prej tyre. Mëngjesin e djeshëm, Simonelli është arrestuar nën shoqërinë e tre miqve të tij pranë portit të Vlorës, ndërsa tre miqtë që e shoqëronin janë lënë të lirë, pasi janë marrë në pyetje nga policia e qytetit bregdetar.

Urdhër-arresti nga Italia

Udhëtimi drejt Shqipërisë i anëtarit të “Ndrageta”-s është realizuar paralelisht me informacionin e mbërritur nga homologët italianë në zyrën e Drejtorisë së Krimit të Organizuar në Tiranë. Pas një informacioni të shkurtër rreth “objektivit” është kërkuar që Giuseppe Simonelli të mbahej nën vëzhgim nga agjentët shqiptarë, gjatë kohës që do të qëndronte në territorin tonë. Dhe kështu duket se ka ndodhur. Përmes një njoftimi për shtyp, Policia e Vlorës bënte me dije se për katër ditë, italiani ka qenë nën survejim të plotë të agjentëve dhe vetëm pasi është dhënë drita jeshile për ekzekutimin e operacionit në disa shtete, policia i ka hedhur prangat italianit, i cili ndodhej në shoqërinë e tre miqve të tij. Këta të fundit janë shoqëruar në mjediset e Policisë së Vlorës, e pasi kanë dhënë dëshmitë e tyre janë lënë të lirë, si të paimplikuar me ngjarjen.

Trafiku i kokainës

Organizata e krijuar prej bashkëpunimit mes klanit mafioz dhe karteleve të drogës dyshohet se ka vepruar që prej qershorit të vitit 2010, deri në janarin e këtij viti, dhe anëtarët e saj kanë operuar në udhëtime dhe kontakte mes Bolonjës, Spanjës, Sllovenisë dhe Ekuadorit. Më 16 korrik të vitit 2010, Drejtoria Qendrore e Antidrogës Italiane në Romë i ka komunikuar Drejtorisë së Antidrogës së Bolonjës se kolegët e tyre amerikanë të DEA-s (zyra e Nju Jorkut dhe e Vienës) kishte nisur një hetim në drejtim të shtetasit gjerman, Majkëll Kramer për trafik kokaine. Pas këtij sinjalizimi, Kramer është ndjekur dhe gjurmuar në çdo hap dhe kontakt që ka ndërmarrë, deri në shtetin slloven, ku ka zhvilluar një takim me shtetasin kolumbian, Pastor Çavarro, me të cilin ka diskutuar në detaje mbi sigurimin e një avioni që do të shërbente për transportimin e kokainës. Në bisedën e zhvilluar mes tyre, kolumbiani i ka premtuar Kramerit si fillim 100 mijë euro për marrjen me qira të avionit dhe për harxhet e karburantit të mjetit transportues. Ky përgjim telefonik ka qenë dhe zanafilla e gjithë hetimit ndërkombëtar, i cili më pas ka zbuluar dhe udhëtimet e kolumbianit Çavarro në drejtim të Italisë, për t’u takuar me dy italianët Korsini dhe Simonelli(përfaqësues të bosit të Ndragetës Ventriçi) dhe ka qëndruar në shoqërinë e dy italianëve, në një hotel në Bolonja, për disa ditë. Gjatë ditëve të qëndrimit të kolumbianit janë bërë një sërë takimesh dhe mbledhjesh mes bosëve, ku janë sqaruar të gjitha detajet e planit të tyre për dërgimin e 1.5 ton kokainë në Itali. Sasia e madhe e kokainës ishte dislokuar në Ekuador dhe avioni i gjermanit Kramer do të duhej të shkonte ta merrte dhe tua sillte italianëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›