Rrëfimi i një djali rruge: Si i shpëtova pengmarrjes nga Krasniqët
Krimi i organizuar shqiptar është vënë nën shënjestrën e forcave të rendit në Nju-Jork. Gjatë dy muajve të fundit është zbuluar një bandë kriminale shqiptaro-amerikane, me bazë në Nju Jork, veprimtari e cila përbëhej kryesisht nga trafikimi i drogës dhe kishte një shtrirje globale. Ndër akuzat e tjera kundër këtij grupi kriminal është edhe lidhja e tyre me sindikatat, këto të fundit akuzohen se kanë lidhje me bandën në fjalë dhe trafikonin drogë nga Kanadaja, Meksika, Amerika e Jugut ajo Qendrore e deri në Holandë. Gjykimi kundër udhëheqësve të njohur të bandës, si Bruno dhe Saimir Krasniqi, mendohet të fillojë në tetor, ku do të shqyrtohet gjithashtu edhe akuza të mëparshme kundrejt tyre.
Çfarë vijon është historia e një njeriu, që më përshkruajti me detaje fillimin e organizatës kriminale. Vetëquhej “askushi”, por që në fund doli të ishte një “dikush” i madh në të gjithë këtë histori. Neritan (Tani) Koçareli është 30 vjeç. Ai mbërriti në Shtetet e Bashkuara kur ishte vetëm 17 vjeç, pasi familja e tij fitoi llotarinë amerikane. Më pas, ai u bë një qytetar amerikan. Tani jeton në Ridgewood në Queens, ku dhe kreu shkollën e mesme, por ai arriti të përfundojë vetëm dy vitet e para. Më pas filloi të linte orët e mësimit dhe të shoqërohej me djem shqiptarë si Gentian Kasa, i cili ishte një ndër ushtarët më besnikë të vëllezërve Krasniqi dhe Plaurent Dervishajt, i cili është në listën e më të kërkuarve nga agjencitë federale amerikane dhe shqiptare. Ndër pjesëtarë të tjerë të bandës ishin Kujtim e Shpëtim Konçi, si dhe një tregtar i madh shqiptaro-amerikan, Parid Gjoka. Gjoka ishte djali më i njohur në lagje, pasi kishte një makinë të shtrenjtë dhe vishej gjithmonë bukur. Gjithashtu, Gjoka kishte një reputacion të keq që nga Shqipëria. Kur ishte adoleshent, ai krijoi një bandë të vogël, ku si veprimtari ishte vjedhja e kasetofonëve të makinave, e cila shtrihej në të gjithë Shqipërinë. Ai ishte shumë qejfli dhe lekët e fituara, i prishte me femra dhe duke ngrënë në restorantet më të mira. Gjoka donte të ishte si Konçi. Ai e quante veten “djalë i rrugës” ose “gangsteri” dhe frekuentonte shpesh klubet luksoze. Nga ana tjetër, Tani donte të bëhej si Gjoka. Ai e filloi këtë lojë dashje- padashje, pasi një ditë pranoi të çonte një kilogram kokainë nga Çikago në Nju Jork. Asnjëherë nuk e paguan për shërbimin e bërë. Më shumë e bëri për hatër të Konçit, pasi njihte familjen e tij, dhe mbi të gjitha pasi kishte frikë që t’u thoshte jo. Ndërkohë që Gjoka e përshkruan Tanin, fizikisht të shkurtër dhe të dobët dhe se e konsideronte si një vëlla të vogël. Mesa dukej, Tani ishte nga ata vëllezërit e vegjël, i cili përdorej për shumë gjëra. Tani, e përshkruan Gjokën si një njeri me karakter të ashpër. Ai tregon se e ka ndihmuar Gjokën për të mbuluar pisllëqet e tij në firmën e ndërtimit dhe për shumë gjëra të tjera, dhe nuk u pagua asnjëherë për asnjë nga shërbimet e tij. Pasi fitimi i tij ishte thjesht e drejta që të qëndronte me Gjokën. Njëherë, Gjoka i bën një shaka Tanit. Tani ia kthen shakanë, por kjo gjë nuk i pëlqen Gjokës. Ai e goditi Tanin me një shkop dhe e detyroi që të vraponte rreth një zjarri dhe të bërtiste 100 herë “më fal”, ndërkohë që ai numëronte. Kur është pyetur mbi këtë ngjarje, Gjoka është shprehur se: “nuk kam qenë djali i mirë”. Tani, gjatë kësaj kohe bëri rreth 10- 20 udhëtime për të transportuar drogën. Çdo herë ai takohej me një grua në një dalje të autostradës që ndodhej dy orë larg kufirit kanadez, i jepte paratë në mënyrë që ajo t’ia jepte organizatës tjetër që ndodhej në Toronto dhe që kishte lidhje me ta. Kryesisht shuma me të cilën ai lëvizte ishte 50,000 dollarë, njëherë transportoi rreth 90,000 dollarë. Si gjithmonë, për shërbimet e tij nuk mori asgjë nga Gjoka, vetëm njëherë 300 dollarë. Tani përdorej gjithashtu për dërgesat e drogës në Bronks; dhe si pas tij, Gjoka arrinte të fitonte rreth 300 dollarë për çdo kile kokaine. Sipas një dëshmie tjetër të Almir Rrapos, pjesëtar i organizatës Krasniqi, Gjoka harxhonte shumë para. Njëherë shpenzoi rreth 3-400,000 dollarë për të mobiluar apartamentin e tij. Nga ana tjetër, Gjoka shprehej se ishte trokë nga lekët çdo fundjavë, pasi i harxhonte me striptiste, duke blerë rroba, bizhuteri dhe duke ngrënë nëpër restorante luksoze. Tani tregon se Gjoka kishte gjithmonë nevojë për dikë pranë, sidomos kur merrte kokainë. Ai e filloi kokainën si një përdorues i zakonshëm, por pas aksidentit të së dashurës së tij, Anita Bitri, ai filloi ta pinte rregullisht. Dhe Tani u kthye në truprojën e tij të besuar. Njëherë, Gjokën e pyetën pse nuk i kërkoi Tanit që të merrte edhe ai pjesë në luftën mes bandave. Ai u shpreh se: “Tani nuk ishte nga ata lloj njerëzish, duhet të shkonim të vrisnim njerëz. Nuk ishte Tani për punë të tilla”.
Ndërkohë që Gjoka bashkë me bandën e tij lëviznin sa në një motel në tjetrin. Tani lëvizte sa andej-këtej, duke marrë dhe çuar rrobat e Gjokës dhe duke shërbyer si shofer për të dashurat e tij. Por një ditë, Tani u rrëmbye nga banda e Krasniqëve. Një ditë, Saimir Krasniqi dhe Rrapo i dolën pritë duke e detyruar Tanin që të dilte nga makina. Ai bëri siç i thanë. Ndërkohë që ishin duke udhëtuar me makinë, Tani u kujtua se mbante me vete çelsin e motelit ku ishte fshehur Gjoka bashkë me njerëzit e tij. Ai e vendosi poshtë sediljes së makinës, në rast se ata do ta kontrollonin. Siç pritej, makina ndaloi në një park afër Staten Island. Bruno Krasniqi doli nga makina, i ndjekur nga ushtari i tij besnik, Kasa. I kërkuan Tanit vendndodhjen e Gjokës. Por Tani u tha se nuk e dinte. Ata e futën sërish brenda dhe Bruno ia uli Tanit kokën poshtë dhe e mbuloi me një xhaketë. Pas 30 minutash udhëtim, ata arritën në një apartament në Bruklin, që më pas u vërtetua se ishte apartamenti i Kasës. Kasa i vendosi Tanit në kokë një pistoletë 9 milimetërshe, duke i kërkuar vendndodhjen e Gjokës, por ai vazhdonte të mos tregonte. Më pas filluan ta godisnin me shkelma dhe me grushte, një herë Rrapo, një herë Kasa, një herë Bruno dhe pastaj sërish nga fillimi. Pas shumë orësh torturë, sipas dëshmisë së Rrapos, “Tani filloi të qeshte si histerik, si pasojë e traumës nga tortura”. “Ne jemi bërë ekspertë në torturimin e personave dhe e kuptojmë se kur një person thoshte të vërtetën apo gënjente” - thoshte Almir Rrapo. Më në fund, tortura mori një kthesë pozitive, duke parë që nuk mund të nxirrnin asnjë të dhënë nga Tani. Ata u munduan që ta blinin, duke i thënë se Gjoka sillej shumë keq me të dhe nëse ai donte, mund të braktiste Gjokën dhe të bashkohej me ta.
Tani u përgjigj se donte vetëm që ta linin rehat, pasi donte të kthehej tek familja e tij në Pensilvani dhe se nuk kishte asnjë lidhje me grupin dhe nuk donte të kishte. Atëherë Saimiri i dha Tanit 100 dollarë, që të blinte një kartë telefoni dhe t’i lajmëronte kur të merrte vesh ndonjë lajm mbi vendndodhjen e Gjokës, dhe më pas e liruan duke e çuar në një vend të shkretë rreth orës 6 të mëngjesit.
Menjëherë pas kësaj, Tani rezervoi një dhomë moteli me emër të rremë dhe mori Gjokën në telefon. Gjoka dhe i vëllai i tij (një veteran i luftës në Irak) erdhën për ta marrë. Gjoka dyshonte se Tani mos kish bërë marrëveshje me Krasniqët, sidomos kur pa se ai nuk e kishte çelësin e dhomës së motelit. Ata ndryshuan motel po atë natë. Gjoka i kërkoi Tanit që të bashkohej me të, por Tani iu përgjigj se ishte shumë i tronditur nga ngjarja dhe se donte vetëm të shtrihej. Për herë të parë, ai nuk pranoi. Pasi Tani dhe vëllai i Gjokës e shoqëruan atë në dhomë, Tani mori makinën e Gjokës dhe u nis drejt Pensilvanisë. Ai u arrestua në vitin 2007, Tani u deklarua fajtor por bashkëpunoi me policinë duke vendosur një mikrofon përgjues, me anë të të cilit mund të inkriminonte edhe të pandehurit e tjerë të bandës dhe si pasojë u la i lirë. Ndërkohë, ai filloi një punë me kohë të plotë në një fabrikë. Vazhdoi shkollën dhe mori çmim si punëtor i dalluar në punën e tij. Por për disa arsye, të cilat nuk dihen, Tani nuk i tregoi të gjithë të vërtetën prokurorëve. Ai nuk u tha atyre se ishte i përfshirë në rrjetin e trafikut të kokainës. Dhe ky ishte një gabim i madh. Kur prokurorët e zbuluan këtë gjë, ata e prishën marrëveshjen e bashkëpunimit dhe në prill të këtij viti, Tani u arrestua, duke u akuzuar si i përfshirë në rrjetin e trafikimit të kokainës, si dhe për mashtrim ndaj drejtësisë. Gjatë kohës që Tani po shoqërohej drejt gjykatës në ashensor, ai u mundua që të bashkëbisedonte me policët që po e shoqëronin, duke u përpjekur të kuptonte se mos duhej të jepte ndonjë tjetër shpjegim në lidhje me të pandehurit e kapur më parë. Por policët bënë sikur nuk dëgjuan dhe vazhduan të merreshin me celularët e tyre, duke pritur që të hapeshin dyert e ashensorit.
Përktheu: Ledia Resuli