Grabisnin makina: Arrestohen shtatë persona nga policia
Një grup prej shtatë personash që akuzohen për grabitje të automjeteve është vënë në pranga nga policia. Katër prej pjesëtarëve të bandës janë arrestuar nga uniformat blu në Kavajë, ndërsa tre të tjerë në banesat e tyre në Shkodër. Pas përfundimit të hetimit, i cili kishte nisur prej disa muajsh, u organizua operacioni “Çmontimi 2”. Sipas burimeve nga policia, të ndaluarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin grabisnin makina gjatë orëve të vona të natës, të cilat i çonin në qytete të tjera, duke i çmontuar më pas e duke u ndryshuar numrat e shasisë.
Të ndaluarit janë nga rrethi i Shkodrës dhe nga Dibra.
Sipas burimeve zyrtare nga policia, në pranga ranë 23-vjeçari Fatmir Marku, 26-vjeçari Bledi Zefi, 33-vjeçari Elidon Sokoli (Marku), të tre banues në Shkodër dhe 28-vjeçarja Irena Boduri, lindur dhe banuese në Shupenzë, Dibër. Arrestimi i tyre u krye, sepse janë kapur në flagrancë në segmentin rrugor Golem-Kavajë, ku në bashkëpunim me njëri-tjetrin në periudha e vende të ndryshme, dyshohet se kanë shtrirë aktivitetin e tyre kriminal në disa qytete të vendit.
Gjithashtu, u ekzekutuan urdhrat e ndalimit të lëshuara nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Kavajë, edhe për 3 shtetas, të dyshuar si bashkautor në vjedhjet e automjeteve. Agjentët i arrestuan ata në banesat e tyre, në Shllak, Toplan e Thermë të qytetit të Shkodrës. Në prangat e uniformave blu ranë 30-vjeçari Nikoll Delijaj, 35-vjeçari Kujtim Fermasi dhe 44-vjeçari Alfred Krepi, të tre të lindur e banues në Shkodër. Sipas burimeve nga policia, të arrestuarit dyshohen se në Rrogozhinë kanë tentuar të vjedhin automjetin tip “Benz”, me targa KJ 0687 A. Po ashtu rezultoi se të sipërcituarit kanë vjedhur edhe automjetin tip BMW, me targa të huaja BC 695 CG, në pronësi të një shtetasi. Pas verifikimeve të kryera rezultoi se automjeti tip BMW, me targa EL 1227 C, dyshohet të jetë vjedhur në qytetin e Elbasanit. Ndërkohë është dokumentuar implikimi i tyre i shtrirë në tri vjedhje të automjeteve në Tiranë; në 4 vjedhje automjetesh në qytetin e Durrësit; në 4 vjedhje automjetesh në qytetin e Elbasanit; në 4 vjedhje automjetesh në qytetin e Fierit dhe në 2 vjedhje automjetesh në qytetin e Shkodrës.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar gjashtë automjete të vjedhura, një sërë targash të Kosovës, ndërkohë që po punohet intensivisht në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë, për të dokumentuar tërësisht implikimin e tyre edhe në vjedhje të tjera të ndodhura në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Të ndaluarit u shoqëruan në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës së rrethit. Ata akuzohen për kryerjen e veprave penale të “vjedhjes së mbetur në tentativë, në bashkëpunim dhe “vjedhjes”, në bashkëpunim.