E Shtunë, 31 Tetor 2026

Serbët mbyllin shkollat

Janë mbyllur shkollat e para në Kosovë, si pasojë e frikës nga përhapja e gripit të derrit. Shkollat e mbyllura janë ato me nxënës të komunitetit serb, që jetojnë në komunën e Shtërpcës. Me urdhër të përfaqësuesve të strukturave paralele serbe në këtë komunë, nga e hëna e kësaj jave, këto shkolla nuk janë më në funksion. Ministria e Arsimit e Kosovës nuk ka dhënë urdhër për mbyllje të institucioneve edukativo-arsimore, por vendimi i strukturave paralele serbe është marrë duke u bazuar në institucionet përkatëse në Beograd.

Këtë vendim, strukturat paralele serbe në këtë komunë e kanë ndërmarrë pavarësisht se në asnjë shkollë të këtij lokaliteti nuk është regjistruar ndonjë person i infektuar me këtë virus.

Një fakt të tillë e ka pohuar vetë Zoran Staletoviç, drejtor në Qendrën e Mjekësisë familjare në Shtërpcë. Ditëve të fundit, ka pasur një fluks të madh të qytetarëve të cilët në këtë qendër kanë kërkuar ndihmë, por të cilët kanë pasur gripin e zakonshëm dhe se nuk është shënuar asnjë rast i prekur nga virusi A/ H1N1, është shprehur Staletovic duke sqaruar se mbyllja e shkollave është një masë parandalimi.

Fqinji verior i Kosovës ka disa ditë që ka shpallur pandeminë dhe për këtë arsye strukturat paralele serbe kanë vendosur që ti përgjigjen situatës së paralajmëruar nga Serbia. Një fakt të tillë e ka konfirmuar për Express edhe Sadik Ymeri, shef i sektorit të arsimit në Drejtorinë Komunale në Shtërpcë. Ky vendim për ndërprerjen e mësimit është marrë kinse nga rreziku i përhapjes së gripit të derrave, përkundër faktit që në këtë komunë ende nuk është shënuar asnjë rast i tillë, thotë Ymeri. Megjithëkëtë, sipas tij, ndërprerja e mësimit nga organet paralele në komunën e Shtërpcës nuk i ka dëmtuar nxënësit shqiptarë, të cilët mësojnë në objekte të ndara nga ta, madje edhe në fshatin Biti e Epërme, ku jeton komuniteti i përzier. Në shkollën e këtij fshati, mësimi vazhdon të mbahet normalisht. Vendimi për shkollat në Shtërpcë ka ardhur nga organet paralele serbe të kësaj komune, të cilat vazhdojnë tiu binden direktivave nga Beogradi. Këto organe nuk i njohin fare institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht as ato të MASHT-it, shpjegon zyrtari i arsimit komunal. Ymeri tregon se për nxënësit shqiptarë, vlejnë vetëm vendimet dhe udhëzimet që vijnë nga MASHT-i.

Por zyrtarë të Ministrisë së Arsimit në Prishtinë thonë se ata nuk kanë marrë ndonjë vendim për mbylljen e shkollave, për shkak të virusit A H1N1, pasi sipas tyre, gjendja ndodhet ende në fazën parandaluese të përhapjes së këtij gripi. Duke u bazuar në rekomandimet që ka dhënë IKSHP-ja, MASHT-i ka obliguar të gjithë drejtorët e institucioneve të arsimit parauniversitar që të raportojnë në baza ditore për mungesat e nxënësve, ndërsa ka kërkuar që të rritet niveli i higjienës, pra të bëhet dezinfektimi i të gjitha sipërfaqeve shkollore, thotë Besa Bytyçi, udhëheqëse e Zyrës për Informacion në këtë ministri.

Ajo shpjegon se MASHT-i do të marrë vendime në raport me situatën që mund të krijohet, por gjithmonë duke u bazuar në rekomandimet që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë, respektivisht IKSHP-ja. Pra, nëse rekomandohet mbyllja e shkollave, MASHT-i natyrisht do të veprojë siç kanë vepruar të gjitha vendet që janë ballafaquar me këtë grip, thotë Bytyçi për Express, duke shtuar se momentalisht nuk ka vend për panik.
Ndërkohë, numri i personave që dyshohet se kanë shenja të gripit të derrit në Kosovë vazhdon të rritet përditë. Për këtë arsye, tash e tutje, edhe institucionet përkatëse shëndetësore në vend, preferojnë të japin vetëm të dhënat e konfirmuara për personat e prekur nga virusi AH1N1. Kështu, vetëm gjatë ditës së premte, në laboratorin e QKUK-së në Prishtinë, janë dërguar mostrat e 15 personave për analizë, që dyshohet se janë prekur nga ky virus. Deri në marrjen e analizave të këtyre rasteve ku përfshihen persona të moshave të ndryshme, duke përfshirë edhe nxënës, numri zyrtar i të prekurve me gripin e derrit në vend, është 24 persona.

Personat e prekur nga ky virus përfshijnë pothuajse të gjitha rajonet e Kosovës. Deri më tash këto janë të dhënat zyrtare, thotë Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në lidhje me mundësinë e përhapjes së këtij gripi edhe në shkolla, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë (MASHT), si masë parandaluese, kanë obliguar drejtorët e shkollave që të përcjellin mungesën e nxënësve nëpër shkolla dhe të raportojnë në departamentet komunale të Arsimit, Ministrisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik.

Gripi sezonal
Aktualisht vendi ynë është i prekur edhe nga koha e gripit sezonal dhe për këtë arsye, sipas zyrtarëve të MSH-së, numri i të dyshuarve me gripin e derrave mund të rritet. Zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti, ka deklaruar se njëri nga pacientët që ditë më parë ishte në gjendje kritike nga ky grip, i shtrirë në Klinikën Infektive, tash ka gjendje stabile dhe po trajtohet me barna tamiflu.

MASHT
Besa Bytyçi, zyrtare në MASHT, thotë se nëse nxënësit kanë simptoma të gripit të zakonshëm, Ministria iu rekomandon që atë ditë ata të pushojnë, prindi të lajmërojë shkollën dhe po të njëjtën ditë të vizitohen te mjeku, i cili më pas do të vendosë nëse ata duhet të pushojnë, sa duhet të pushojnë dhe si do të trajtohen.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›