Grabit taksistin, i merr veturën dhe 10 mijë lekë
Policia arrestoi autorin e dyshuar të krimit, disa orë më vonë, në afërsi të stacionit të trenit në Durrës
TIRANE- Grabit taksinë dhe i merr me dhunë shoferit 10 mijë lekë të vjetra, arrestohet autori i krimit. Vladimir Peposhi, 21 vjeç, nga Kukësi banues në Domje, u arrestua dy net më parë nga policia e komisariatit nr.5, në Kamëz me akuzën e vjedhjes me dhunë të një taksisti në afërsi të fshatit Domje të Tiranës, ndërsa e kishte marrë atë nga Tirana me pretendimin për të shkuar në Vorë. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në autostradën Tiranë- Durrës, në afërsi të fshatit Domje të Tiranës, ku taksistit i është kërkuar prej pasagjerit të ndalonte pranë një objekti. Sapo autovetura është ndalur prej drejtuesit të saj, grabitësi i ka kërkuar atij të dilte nga mjeti dhe t'i linte atij çelësat në timon. Kërkesa e pasagjerit që kishte kërkuar taksi i është dukur e çuditshme, taksistit ndërsa me forcë, grabitësi e ka detyruar shoferin të braktisë mjetin e tij dhe më pas të largohet. Ndërkaq drejtuesi i ri i mjetit është larguar bashkë me të dhe ka vijuar udhëtimin në autostradë në drejtim të Durrësit. Ndërkaq i grabituri menjëherë ka njoftuar policinë, për ngjarjen që i kishte ndodhur. Ndërkaq shërbimet e policisë së kryeqytetit, kanë dhënë llojin e mjetit ngjyrën dhe targën e tij në kërkim. Hetuesit kanë marrë kontakt me të dëmtuarin. Ai ka deklaruar se ishte marrë për taksi në Tiranë në rrugën e Durrësit nga një person i cili e kishte kërkuar ta dërgonte deri në Domje. Rrugës, sipas tij, pasagjeri e ka kërcënuar që t'i jepte automjetin dhe më pas e ka grabitur atë. Pas denoncimit të të dëmtuarit, policia ka nisur kërkimin dhe mjeti është gjetur disa orë më vonë në qytetin e Durrësit, në afërsi të stacionit të Trenit. Në vendin ku ndodhej taksia ndodhej edhe "pronari" i ri i saj i cili është arrestuar nga blutë e komisariatit nr.5, me akuzën e vjedhjes me dhunë të automjetit dhe të një sasie prej rreth 10 mijë lekësh të vjetra. Menjëherë i arrestuari në flagrancë, Vladimir Peposhi, është dërguar në ambientet e komisariatit nr.5, ku edhe i është komunikuar akuza e vjedhjes me dhunë. Gjatë ballafaqimit për njohje me të dëmtuarin, ai ka identifikuar autorin e vjedhjes. Pas këtij veprimi procedurial policia ka dërguar dosjen në prokurorinë e Tiranës në ngarkim të Peposhit, me akuzat e referuara në të.