E Shtunë, 31 Tetor 2026

I presin gishtat borxhliut që e mbanin peng

E.E, u mbajt peng 24 orë në një lokal në qendër të kryeqytetit, ku rrëmbyesit i prenë gishtat dhe e torturuan pasi nuk mundi t'iu kthente borxhin 1000 euro


Arrestohen pesë persona mes të cilëve një polic me akuzat heqjes së padrejtë të lirisë dhe torturës

TIRANE- Pesë vetë, mes të cilëve një polic, mbajnë peng 24 orë borxhliun dhe i presin gishtat e dorës për një mijë euro. Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së premte deri dje në një lokal pranë stadiumit "Dinamo", kur i dëmtuari është lënë i lirë pas torturave të kryera ndaj tij dhe pas ndërhyrjes së policisë që ka arrestuar pesë personat me akuzën e heqjes së padrejtë të lirisë së personit dhe ushtrimit të torturës, plagosjes së rëndë me dashje dhe dëmtimeve të tjera të kryera në bashkëpunim. Lajmi është bërë i ditur nga burime zyrtare të Policisë së kryeqytetit, të cilët pohuan arrestimin e Aleksandër Bulit, 24 vjeç, vëllai i tij, Joan Buli, 26 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i Policie i Patrullës së Përgjithshme, Ilir Trini, 35 vjeç, Andi Bulku, 25 vjeç, dhe Drini Lato, 26 vjeç, të gjithë banues në Tiranë, janë arrestuar nga Zyra e hetimit Krimeve kundër Jetës, si dhe zyra e Hetimit të krimeve Seksuale dhe Rrëmbimit të personit. Policia ka sekuestruar një armë zjarri pistoletë që i përkiste efektivit të Policisë të arrestuar me akuzën e përfshirjes në këtë krim të rëndë. Policia nuk ka dhënë identitetin e të dëmtuarit, por mësohet se ai më parë ka qenë shok me autorët e krimit ndërsa disa javë më parë ai iu kishte marrë atyre në formë borxhi një sasi parash prej afërsisht një mijë eurosh.

Rrëmbimi
Sipas pretendimit të të arrestuarve, i dëmtuari me inicialet E.E, nuk kishte pranuar t'ua kthente paratë. Për këtë shkak, mesditën e të premtes, vëllezërit Aleksandër dhe Joan Buli, bashkë me Ilir Trinin, Andi Bulkun dhe Drini Laton, kanë thirrur mikun e tyre borxhli tek lokal "Poko Loko", në pronësi të njërit prej të arrestuarve. Aty i kanë kërkuar që paratë t'ua kthente menjëherë dhe me çdo kusht. Për kundër kërkesës së të arrestuarve, i rrëmbyeri iu ka pohuar se nuk mund t'ua jepte paratë pasi nuk kishte. Për këtë shkak i dëmtuari ka njoftuar të afërmit e tij me pretendimin se i duheshin ca lekë. Ndërkaq që E.E, kërkonte ndihmën e familjes, rrëmbyesit e qëllonin me sende të ndryshme në trup dhe në kokë. Kur kishte kaluar rreth gjashtë orë nga koha e rrëmbimit dhe e pritjes së të tyre për të marrë borxhin, pengmarrësit marrin një vendim ose paratë ose gishtin.

Kur paratë nuk erdhën atij iu prenë gishtërinjtë. Pas këtij veprimi mësohet se familja është njoftuar sërish dhe i është kërkuar në mënyrë të prerë borxhi. Menjëherë këta të fundit kanë njoftuar policinë të cilët kanë organizuar shërbimin dhe kanë zbuluar vendndodhjen e lokalit ku mbahej pengu. Gjatë kohës së qëndrimit në lokal për një periudhë 24 orëshe, pengu është keqtrajtuar edhe më tej.ndërkaq dje në mëngjes efektivët e policisë kanë mundur të identifikojnë vendin e mbajtjes së të rrëmbyerit, ku edhe është ndërhyrë nga policia. Pas ndërhyrjes së bluve, i dëmtuari është liruar dhe është dërguar në spital, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Ndërkaq blutë kanë arrestuar në flagrancë pesë personat duke iu komunikuar atyre akuzat e rënda. Ndërkaq të dëmtuarit i është marrë një rrëfim mbi rrethanat e rrëmbimit ndaj tij, pavarësisht gjendjes jo të mirë shëndetësore të tij. Të arrestuarit nuk kanë pranuar të flasin për policinë ndërsa kanë kërkuar të mos flasin pa praninë e një avokati.

Të arrestuar
Aleksandër Jorgji Buli, 24 vjeç, banues në Tiranë
Joan Jorgji Buli, 26 vjeç, banues në Tiranë, punonjës policie
Ilir Trini, 35 vjeç, banues në Tiranë
Andi Bulku, 25 vjeç, banues në Tiranë

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›