Masakruan burrë e grua, zbulohen grabitësit
ELBASAN - Zbulohen autorët e grabitjes me armë të një kambisit në Përrenjas, ndërsa policia ka vënë në pranga njërin prej tyre. Drejtoria e policisë e ka cilësuar operacionin me emrin e koduar "Borxhi i vjetër" pas disa ditë hetimesh për autorësinë e grabitjes me armë në qytetin e Përrenjasit.
Damo Lengo, 30 vjeç, me banim në lagjen "5 Maj" të qytetit të Elbasanit është prangosur nga agjentët, ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi Hektor Dyrmishi, 21 vjeç, me banim në lagjen "Syrja Dylgjeri". Dy personat akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin të enjten hynë në shtëpinë e një kambisti në Përrenjas dhe nën kërcënimin e armës i kërkuan atij dhe bashkëshortes paratë.
Pasi i keqtrajtuan dhe i goditën me mjete të forta e të mprehta, ata u larguan nga banesa. Çifti u dërgua në spital nga fqinjët. Ka qenë bashkëshortja që ka rrëfyer ngjarjen. Ndërsa ata u trasportuan drejt spitalit ushtarak, policia u vu në kërkim të autorëve. Pas tri ditësh Sektori i Krimeve të Rënda arriti të identifikojë autorët e grabitjes me armë dhe maska.
Sipas policisë, dy shtetasit me banim në Elbasan, Damo Lengo dhe Hektor Dyrmishi, kanë vjedhur me armë zjarri banesën e shtetasit Astrit Rrushi në qytetin e Përrenjasit duke iu shkaktuar bashkëshortëve dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Policia po punon për kapjen e autorit tjetër të ngjarjes dhe zbardhjen e detajeve të kësaj grabitjeje. Dy të akuzuarit do të përgjigjen për akuzat "vjedhje me armë" e kryer në bashkëpunim dhe "armëmbajtje pa leje".
**************************
Fier, aksidenti tragjik, humb jetën çifti nga Vlora
FIER - Kanë shkuar për drekë burrë e grua, por kanë gjetur vdekjen. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së dielës.
Një çift bashkëshortësh nga Vlora duke udhëtuar me mjetin e tyre kanë humbur jetën tragjikisht Në këtë aksident ka qenë edhe motra e viktimës, e cila është jashtë rrezikut për jetën. Aksidenti ka ndodhur në rrugën kryesore Pishporo - Levan, në vendin e quajtur "Kthesa e Qarrit", në afërsi të një ure që lidh Qarrin me rrugën nacionale.
Ka qënë ora 16:30 kur Liljana dhe Medi Mata, përkatësisht 58 dhe 52 vjeç, banorë nga qyteti i Vlorës, lagja "24 Maji" ka qenë për drekë tek kunata, në fshatin Qarr, të cilën në kthim e kanë marrë me vete. Ata po lëviznin me automjetin e tyre, një kamionçinë "Fiat" me targa VL 0132 D. Ndërsa kanë kaluar kilometrin e parë nga fshati Qarr, Medi Mata, që drejtonte automjetin, ka humbur kontrollin duke dalë jashtë rrugës.
Si rrjedhojë, automjeti ka përfunduar në një kanal anësor të mbushur me ujë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se është dashur një periudhë prej më shumë se 30 minutash për t'i nxjerrë viktimat. Pas ekspertizës është vërtetuar se drejtuesit i ka rënë infarkt në timon, çka ka çuar në moskontrollin e mjetit prej tij. Mësohet se Mediu vuante nga zemra.
Ndërkohë, gruaja e tij ka vdekur për shkak të asfiksimit. Fatmirësisht Dallëndyshe Isufaj, motër e Liljana Matës ka pësuar vetëm disa plagë të lehta dhe është jashtë rrezikut për jetën.