Sistemi part-time, sot shpallen fituesit në gjithë vendin
SHKOLLA E LARTË/ Në të gjitha fakultetet në vend nis edhe procesi i regjistrimit të kandidatëve fitues
TIRANË - Të gjitha ata që kanë aplikuar për një program studimi në sistemin part-time, sot në mesditë do të mësojnë nëse kanë fituar të drejtën e studimit apo jo. Sipas një udhëzimi të nxjerrë nga MASH më 26 nëntor, sot në mesditë, në të gjitha institucionet publike të arsimit të lartë duhet të jenë të afishuara emrat e fituesve.
Po sot do të nisë edhe procesi i regjistrimit të studentëve fitues, në programet e studimit me kohë të pjesshme dhe të edukimit në distancë. Fituesit kanë mundësinë të regjistrohen deri më datë 18 dhjetor 2009 pranë sekretarive mësimore të fakulteteve ku ata janë përzgjedhur si fitues.
Për t'u regjistruar studenti duhet të paraqesë dëftesën origjinale të pjekurisë të shkollës së mesme dhe në rast se nuk ka dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, mund të paraqesë një kopje të dëftesës së pjekurisë të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme dhe të vërtetuar në Drejtorinë Arsimore Rajonale ose Zyra Arsimore përkatëse. Në rast se fituesi nuk mund të sigurojë një kopje të dëftesës atëherë mund të paraqesë listën e notave të shkollës së mesme të lëshuar nga Arkivi i Shtetit.
Pas mbylljes së procesit të regjistrimit, MASH do të shpërndajë kuotat e pranimeve që mbeten të parealizuara, sipas Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë dhe programeve të ndryshme të studimit.
Për vitin akademik 2009-2010, MASH-i ka akorduar 6145 kuota, për sistemin e studimit me kohë të pjesshme dhe të edukimit në distancë, të cilat janë shpërndarë në universitetet e Tiranës, Elbasanit, Shkodrës, Gjirokastrës, Korçës, si dhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës. Kuotat për sistemin part-time janë ndarë mes 99 degëve në të gjitha universitetet.