Blutë: Kushëriri i Olldashit, 17 vjeç në çeritifikatë. Akuza: është 19 vjeç
PLAGOSJA NË DURRËS
Mosha e kushëririt të Ministrit të Transporteve, përplasje Prokurori dhe Polici
DURRËS- Ende pa zbardhur mirë ngjarjen e vrasjes së mbetur në tentativë ndaj Besart Islamatt, Policia e Durrësit fsheh moshën e autorit Zenaldo Gëzim Mamaqi duke e njoftuar se ai është 17 vjeç.
Kjo deklaratë e tyre u bë në njoftimin zyrtar që policia e këtij qarku shpërndau në media, duke "mashtruar" opinionin në lidhje me moshën e tij. Por dje, burimet e "Shekullit" konfirmuan se efektivët e policisë e kanë nisur atë deklaratë mbi bazën e një certifikate të depozituar nga vetë autori dhe babai i tij, ku mosha e Mamaqit figuronte të ishte 17 vjeç.
Pas kësaj fshehje, "Shekulli" ka kontaktuar me zyrtarët e Prokurorisë së Durrësit, të cilët konfirmuan se djali i arrestuar nuk është 17 vjeç por 19 vjeç dhe do të verifikohet certifikata që ata kanë depozituar në polici.
"Ne jemi në fillimet e hetimit të ngjarjes ku autori Zenaldo Gëzim Mamaqi ka qëlluar për ta vrarë shtetasin Besart Islamaj, por, për fat të mirë ky i fundit ka mbetur vetëm i plagosur. Për këtë krim, prokuroria ka filluar hetimet ndaj Mamaqit për akuzën e "vrasjes me dashje" të mbetur në tentativë.
Por, nëse rezulton e vërtetë se i arrestuari bashkë me prindërit e tij kanë deponuar në polici certifikatën e falsifikuar, ndaj tyre do të ngrihet edhe vepra penale të "falsifikimit të dokumenteve zyrtare"-thanë burimet nga prokuroria.
Ndërkohë, burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës, të pyetur për "mashtrimin" u shprehen se "njoftimi zyrtar është nisur mbi bazën e certifikatës së lindjes të dorëzuar nga vetë i arrestuari dhe prindi i tij dy orë pas ngjarjes së tentim vrasjes".
Tashmë, i mbetet organit të akuzës të zbardhë të vërtetën e moshës së kushëririt të parë të ministrit të Transporteve Sokol Olldashi, Zenaldo Mamaqi. Konkretisht ky i fundit është djali i Gëzim Mamaqit vëllai i nënës së ministrit Olldashi, zonjës Kozeta Mamaqi.
Ngjarja për të cilën akuzohet i riu Zenaldo Mamaqi, ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në lagjen nr.11 të qytetit Durrës, ku për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me armë zjarri pistolete shtetasin Besart Islamaj, 18 vjeç, banues në Durrës.
Shkak për këtë sherr mes tyre që vazhdonte për dy ditë, mësohet se kanë qenë femrat që kanë sjellë rrahjen mes tyre me grushte që ka degjeneruar me shkrepjen e armës në drejtim të Islamajt.
Ende nuk është gjetur pistoleta e krimit, edhe pse i arrestuari Mamaqi i ka njoftuar agjentët e policisë së e kishte hedhur në një kanal aty pranë lagjes.