Grabitëm argjendarinë në formë loje

Argjendaria e grabitur
Tiranë, të arrestuarit në gjyq: Skishim ndërmend të vrisnim, armët që mbanim në duar, zhurmuese.
Gjykata lë në burg adoleshentët, vodhën me armë 3.5 kg bizhuteri.
Qëllimi nuk ishte vrasja. Grabitjen e argjendarisë e bëmë në formë loje. Me këto fjalë u shfajësua dje, para trupit gjykues, Dorjan M., një prej të miturve të arrestuar të shtunën për grabitjen me dhunë të një argjendarie pranë sheshit Avni Rustemi në Tiranë.
Në të njëjtën kohë, brenda kafazit të hekurt të sallës së gjyqit, një prej të bashkarrestuarve me të, fshinte sytë e përlotur. Pak minuta më pas, për të tre ata, Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë arrest me burg. Argumentet e mbrojtësve ligjorë se grabitja kishte qenë më tepër një lojë adoleshentësh dhe se pistoletat e tyre kishin qenë imitime plastike dhe jo armë luftarake, nuk e bindën gjykatën për një masë më të butë sigurie. Vlerësimin të ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin si masë sigurimi atë të arrestit me burg, lexoi verdiktet në seri për të tre të arrestuarit gjyqtari i gatshëm Sokol Tona. Masa e sigurisë ishte në përputhje me kërkesën e përfaqësuesit të Prokurorisë në proces. Tre të miturit, Dorian M., Rigels L. dhe Erjon K., u arrestuan të shtunën, si të dyshuar për grabitjen me dhunë të një argjendarie, ngjarje ku u plagos pasi u godit me qytë pistolete pronari i saj. Ata akuzohen për vjedhje me armë, në bashkëpunim.
GRABITJA SIPAS AKUZES
Po lëvize nga vendi, të vrava!. Kjo ka qenë shprehja e përdorur nga tre adoleshentët ditën e diel tek argjendaria, pranë sheshit Avni Rrustemi në kryeqytet. Grabitja për të cilën akuzohen tre të rinjtë, e rrëfyer sipas akt-akuzës së prokurorit Petrit Hysi, nuk kishte asnjë ndryshim nga një grabitje e frikshme me armë. Referuar thënieve të pronarit të argjendarisë, ditën e ngjarjes, ai kishte qenë në pjesën e pasme të lokalit kur kishte dëgjuar disa të bërtitura me zë të lartë: Mos lëvizni, mos lëvizni!. Sipas Prokurorisë, kur ka dalë ai ka parë tre persona të maskuar me maska plastike me ngjyra dhe me pistoleta në duar. Ata po i mbanin duart një punonjësi të argjendarisë, të cilit i kishin vënë një pistoletë në kokë. Po referuar thënieve të pronarit të argjendarisë, në akt-akuzë thuhej se njëri prej personave i ishte afruar atij me një thikë. Kur pronari ka dashur ta shmangë, është qëlluar me qytë pistolete në kokë. Në vijim, një prej personave e ka mbajtur nën kontroll duke e kërcënuar të mos lëvizte, ndërsa dy personat e tjerë kanë futur në qeska të zeza bizhuteritë e florinjta. Sipas akuzës, autorët kanë marrë tetë tabaka me bizhuteri. Më pas, tre grabitësit janë larguar me të shpejtë nga argjendaria, së bashku me bizhuteritë e marra. Sipas prokurorit, ata janë arrestuar brenda pak orëve. Fillimisht Dorjan M., të cilit i janë gjetur me vete pistoleta, thika dhe maska. Më pas i dyshuari Rigels L. e në fund Arjan K. Në banesën e këtij të fundit janë gjetur sendet e vjedhura në argjendari. Sipas prokurorit, Rigels L. ka dhënë menjëherë shpjegime pas arrestimit. Ai ka pranuar ngjarjen, duke thënë se e kishte bërë për arsye ekonomike dhe se arma ishte një imitim lodër, që bënte vetëm zhurmë.
6-7 milionë lekë të rinj ka qenë sipas Policisë vlera e bizhuterive të marra nga argjendaria prej tre adoleshentëve. Malli i vjedhur u sekuestrua pas arrestimit të tre autorëve.
Grabitja në mesditë, autorët u kapën për një orë
Një nga grabitësit e argjendarisë
TIRANE Mesditën e së dielës, Policia e kryeqytetit arriti që brenda një ore të arrestonte tre personat të cilët hynë në një argjendari pranë sheshit Avni Rustemi dhe nën kërcënimin e armëve arritën të marrin 3.5 kilogramë bizhuteri. Në kohën kur autorët e krimit ndodheshin brenda argjendarisë, tregtarë të tjerë të zonës aty pranë lajmëruan policinë në lidhje me ngjarjen. Shërbimet e Komisariatit Nr.1 shkuan menjëherë në vendin ku ndodhi grabitja dhe, pas një ndjekjeje që nuk zgjati shumë, forcat e rendit vunë në pranga dy autorët e parë të ngjarjes. Adoleshentët u arrestuan teksa largoheshin nga vendi i ngjarjes, ndërsa njëri prej tyre u kap edhe me një pistoletë dhe një sasi të bizhuterive të vjedhura me dhunë. Autori i tretë i ngjarjes ra në pranga në banesën e tij në Shkozë, ku policia ushtroi kontroll pas marrjes në pyetje të dy grabitësve që ishin vënë në pranga më parë. Që në momentin e arrestimit, tre adoleshentët e pranuan akuzën dhe thanë se e kishin kryer grabitjen për nevoja ekonomike, pa pasur për qëllim që të qëllonin me armë zjarri.
ARMAND BAJRAMI
