Ndërhyn në sherrin e të birit, plagoset babai
Një grindje adoleshentësh i rrezikon jetën dhe babait të njërit prej tyre, i cili u plagos rëndë me levë. Policia ka vënë në pranga njërin prej autorëve të plagosje dhe ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij. Ngjarja është shënuar në orët e vona të mbrëmjes së të martës në fshatin Këmishtaj të Komunës Gradishtë të Rrethit të Lushnjës. Dy bashkëmoshatarët, Hoselito Ndoni 19 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Mërtish të Rrethit Lushnjë dhe shoku i tij, Andrea Dhima, janë konfliktuar me disa të rinj të tjerë nga fshati Këmishtaj. Debati është marrë vesh prej familjarëve të “kundërshtarit” të tyre dhe babai i këtij të fundit ka shkuar të kërkojë sqarim nga dy të rinjtë në lidhje me debatin, duke i kërcënuar ata se do të marrë masa në rast se do të vazhdonin më tej hakmarrjen. Një gjë e tillë nuk është pritur mirë prej dy shokëve, të cilët kanë gjetur një levë dhe me të kanë qëlluar disa herë në kokë e trup 55-vjeçarin me inicialet F.C. I dëmtuari është dërguar në Spitalin e Lushnjës, ku ndodhet aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë që policia lokale ka mundur të prangosë brenda pak kohësh njërin prej autorëve të plagosjes, 19-vjeçarin Hoselito Ndoni dhe është shpallur në kërkim policor bashkëpunëtori i tij, Andrea Dhima, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje e kryer në bashkëpunim”.
#