Grabiten me dhunë 170 mijë lekë, kapet njëri, tjetri kërkohet
Tiranë – Grabitja e një dyqani dy javë më parë në zonën e Kinostudios ka vënë në lëvizje policinë, e cila dje ka njoftuar kapjen e njërit prej autorëve të dyshuar, ndërsa është në kërkim të tjetrit. Burime nga Seksioni kundër Vjedhjeve me Dhunë/Armë në Policinë e Tiranës thanë se kryen ndalimin e 38-vjeçarit Françesko (Ludovik) Ndreca, banues në Mamurras, i dënuar më parë për shitje të lëndëve narkotike në Itali. “Ndalimi i tij u bë pasi dyshohet se në bashkëpunim me Syri Mehmetin janë autorë të vjedhjes me dhunë të një dyqani ushqimor”, - deklaroi policia. Ngjarja ka ndodhur më 25 shkurt të këtij viti, në rrugën “Aleksandër Moisiu”, në Kinostudio. Dy personat akuzohen se kanë vjedhur me dhunë 170 mijë lekë në dyqanin e një banori të zonës. Policia tha se aktualisht nga të gjitha strukturat e saj po punohet për kapjen e të kërkuarit Syri Mehmeti. Të dy ata do të përballen me akuzën për veprën penale “vjedhjes me dhunë”, të kryer në bashkëpunim.
10 Mars 2009