Vdes tragjikisht në punë e sipër një 27-vjeçar, arrestohet aksidentuesi
Tiranë – Një i ri vdiq tragjikisht në punë, ndërsa një 44-vjeçar është arrestuar nga policia për “vrasje nga pakujdesia”. Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 15:30, në fshatin Marqinet pranë kryeqytetit. Policia tha se 44-vjeçari Mustafa Topi, lindur dhe banues në Vorë, gjendej së bashku me pronarin e mjetit fadromë, 27-vjeçarin Albert Duka, kur ndodhi incidenti fatal. Duka ishte duke kontrolluar dhe riparuar tubat për rrjedhjen e vajit të fadromës dhe është goditur në kokë nga pistoni që bën uljen dhe ngritjen e kolonës (kovës), duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Pas kryerjes së hetimeve të para, policia e Komisariatit Nr. 6 Tiranë tha se ndërmori arrestimin në kushtet e flagrancës të 44-vjeçarit Topi dhe e akuzon atë për veprën penale “vrasje nga pakujdesia”.
Kontrabanda e këpucëve vë në pranga dy të dyshuar në kryeqytet
Tiranë – Policia ka zbuluar kontrabandë këpucësh dhe ka vënë në pranga si të dyshuar dy persona. Specialistët e Seksionit kundër Pastrimit të Parave dhe Krimit Ekonomiko-Financiar thanë dje për gazetën se kryen arrestimin në flagrancë të dy personave, të dyshuar për konsumim të veprës penale “tregtim dhe transportim të mallrave kontrabandë”. Të arrestuarit janë: Petrit Rexhmati, 28 vjeç, banues në Kamzë të Tiranës, si dhe Haki Korbi, 46 vjeç, banues në Kodër Kamzë. “Arrestimi i tyre u krye sepse janë kapur në flagrancë me automjetin me targa TR 5402 M, duke transportuar këpucë të llojeve të ndryshme, të cilat dyshohen se janë kontrabandë”, - detajoi policia. Ajo shtoi se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 880 palë këpucë dhe automjeti me targa TR 5402 M.
10 Mars 2009