Tragjedia e 9 janarit, në spital njëri nga grevistët
SHKODËR - Njëri nga katër grevistët e tragjedisë së 9 janarit 2001 është shtruar në spital, ndërsa kryetarja e Kuvendit sulmoi dje në seancën e radhës Prokurorinë për mbylljen e dosjes.
Ilir Gjilaj, i vëllai i njërit prej personave të humbur, Ardian Gjilaj, iu bashkua grevës së urisë në datën 3 mars, aty ku ishin vendosur Ndoc Bjeshka dhe Ndue Zajeti, të cilëve më pas iu bashkua edhe Mark Grishaj. Ilir Gjilaj prej ditësh kishte shfaqur probleme me tensionin dhe dhembjen e kokës, ndërsa gjendja e tij në mëngjes ka qenë më e rënduar duke bërë që të merreshin masa për shtrimin e tij urgjent në spital. Si fillim, Gjilaj është vënë në serum dhe pritet përmirësimi i gjendjes së tij shëndetësore. Pas daljes së fakteve të reja në lidhje me tragjedinë e 9 janarit 2004, ku humbën jetën në ujërat e Detit Jon 28 të rinj e të reja nga zonat e Shkodrës, familjarët e 8 personave që vazhdojnë të rezultojnë të humbur kanë hyrë paraditen e se shtunës në 28 shkurt ne greve urie. Sipas tyre, 8 muaj më parë familjarët e viktimave kanë siguruar një deklaratë të shefit të Krimeve të asaj kohe, Sokol Bizhga, në të cilën citohet se “në orën 6 e 30 të mëngjesit të datës 10 janar, në Gjirin e Dafinës është gjetur nga një anije shqiptare një gomone me 8 trupa të pajetë në bord”. Po sipas kësaj deklarate, “gomonia e gjetur është rimorkiuar nga anija shqiptare dhe destinacioni i saj ende nuk dihet”.
Dje në Kuvend për ngjarjen
Topalli: “Është një temë shumë e madhe. Prokuroria ka mbyllur të gjitha dosjet. Unë nuk ndërhyj në problemet e institucioneve të pavarura. Ky është problem shumë i madh. Nuk mund të mbyllen më dosje të tilla. Ata që vdesin ne nuk i harrojmë”.
Frrok Gjini: “Në qytetin e Shkodrës ka 10 ditë që bëhet një grevë urie. Të bëj thirrje që të reagoni. T’i jepni fund grevës së tyre, pasi ata janë njerëz me probleme shëndetësore. Ti ke tagrin si kryetare e Parlamentit që të bësh diçka”.
10 Mars 2009