E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vitet ‘89 dhe “universalet postkomuniste”

Fatos Tarifa, PhD 

Europa ka njohur disa momente kyç në këto 6-7 dekadat e fundit: vitin 1945, vitin 1968, si dhe mesin e viteve 1970, kur prosperiteti i Perëndimit u vu nën presionin e një ekonomie në rënie dhe të problemeve gjithnjë në rritje të ndotjes së mjedisit. Sidoqoftë, ishin zhvillimet e vitit 1989 ato të cilat motivuan shprehjen e famshme të Fukujamës “End of History” dhe inkurajuan disa nga konceptualizimet “post” që ishin formuluar më parë, si “post-modern”, “post-strukturalizëm”, “post-Marksizëm”, etj. Revolucionet e 1989-ës dhe, sidomos, dizintegrimi i Bashkimit Sovjetik, ishin dhe vazhdojnë të mbeten një sfidë e vërtetë për shpjegimin shkencor të shoqërisë dhe kanë shtruar, ndoshta, nevojën e një paradigme të re në shkencat sociale. Një ndër tiparet kryesore të këtyre revolucioneve ishte elementi i surprizës, pasi, thuajse asnjë nga ekspertët sovjetologë, në perëndim apo në lindje, nuk kishte mundur të parashikonte dot përmbysjen e komunizmit dhe, sidomos, mënyrën paqësore të shembjes së tij, jo vetëm në fillim të viteve 1980, por as në fund të asaj dekade. Si shpjegohet një miopi e tillë universale? Si mundet që edhe akademikë nga më të shquarit, si historiani Richard Pipes në Harvard, e quajti shembjen e komunizmit dhe dizintegrimin e bllokut sovjetik një ngjarje “të papritur”? Si është e mundur që Martin Alia, një ndër ekspertët amerikanë më të njohur mbi Bashkimin Sovjetik dhe autor i librit të famshëm Tragjedia sovjetike (The Soviet Tragedy) e konsideroi “befasinë dhe tërësinë” e shembjes së sistemit sovjetik si “surprizën më të madhe të fundit të shekullit të 20-të”? Pyetje të tilla shtrojnë një problem substancial për shkencat shoqërore: pavarësisht preferencave që mund të kenë studiuesit e shkencave sociale për të bërë interpretime strukturale mbi ngjarje të mëdha historike, apo për histoire événementielle, ne duhet vërtet të habitemi me ndërvarësinë që kanë tendencat afatgjata të zhvillimit historik, të tilla si ngadalësimi i ritmeve të rritjes ekonomike dhe erozioni ideologjik dhe kulturor i diktaturave komuniste, nga njëra anë, dhe iniciativa të tilla politike si glasnosti dhe perestrojka të Gorbaçovit me pasojat e parashikuara apo të paparashikuara të tyre. Diçka e ngjashme mund të thuhet edhe për dekadat e tranzicionit postkomunist (unë qëllimisht e përdor fjalën “dekadë” në shumës), pasi e ardhmja e shoqërive postkomuniste mbetet ende e hapur. Si studiues të shkencave sociale me të drejtë mund të shtrojmë pyetjen: A kemi ne në dispozicionin tonë teoritë më të mira dhe metodologjitë e duhura për diagnostikimin e problemeve të shoqërisë dhe për parashikimin e zhvillimeve të ardhshme? Me fjalë të tjera, a janë “pesëdhjetë e shtatë sistemet sociologjikë dhe të njëqind e pesëdhjetë e shtatë teoritë mbi shoqërinë”, po të përdorim një shprehje të njohur të sociologut amerikan Russell Gordon Smith, të mjaftueshme për të shpjeguar ngjarjet e jetës shoqërore dhe proceset historike të kohës sonë? Në qoftë se studiuesit e shkencave sociale dhe teoritë mbi të cilat ata mbështeten nuk mundën të parashikonin dot shembjen e socializmit shtetëror si sistem politik dhe ekonomiko-shoqëror dhe shpërbërjen e kampit komunist, si mund të pritet që ata, të “armatosur” me të njëjtat teori dhe metodologji të jenë në gjendje sot të parashikojnë ndryshime në nivel makro-shoqëror apo tendencat e zhvillimeve të sotme globale?
Nëse asnjë nga teoritë sunduese dhe metodologjitë e studimeve sociale nuk ishin në gjendje të parashikonin që një shtet jashtëzakonisht i madh, i fuqishëm dhe imperial do të shembej tërësisht dhe me një shpejtësi të mahnitshme, arsyeja mbetet të jetë produkt i një defiçience sistemike. Në shkencë, një defiçiencë e tillë, siç kanë argumentuar në mënyrë të shkëlqyer Robert K. Merton dhe Thomas Kuhn, e ka origjinën te një paradigmë dominuese, e cila ka të bëjë me fokusin e studimit dhe të analizave, me metodat sunduese të kërkimit dhe të arsyetimit, me “supozimet dhe imazhet” konvencionale, me “konceptet dhe hipotezat” si edhe me modelet dhe shpjegimet e pritshme të shkakësisë, të cilat pranohen thuajse nga të gjithë shkencëtarët, derisa një revolucion në shkencë sjell një pikëpamje krejt të re.
Njëzet vjet që kanë kaluar pas revolucioneve të vitit 1989 janë akoma një kohë shumë e shkurtër dhe e pamjaftueshme për të arritur në përfundime shkencërisht të sakta mbi shkaqet dhe pasojat e tyre. Kur e pyetën një herë Çu En Lain se ç’mendonte ai për pasojat e Revolucionit Francez, ai u përgjigj: “Është akoma shpejt të flasim për to”. Sidoqoftë, pas njëzet vjetësh, është e mundur që të bëjmë sot disa përgjithësime mbi ato çfarë kanë ndodhur gjatë tranzicionit nga komunizmi në postkomunizëm pothuajse në të gjitha vendet e Europës Qendrore dhe Lindore. Ashtu si Erza Vogel në fund të viteve 1960 vinte në dukje ekzistencën e disa tipareve të përgjithshme të shoqërive komuniste (“communist universals”), të tilla si sistemi njëpartiak, ekonomia e centralizuar dhe e komanduar nga shteti socialist etj., si studiues të shkencave sociale, ne mund të përpiqemi sot të deduktojmë disa “postcommunist universals”, disa tipare, pra, të përbashkëta për të gjitha shoqëritë postkomuniste në tranzicion. Një shqyrtim i vëmendshëm, sistematik dhe krahasues i eksperiencave të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore pas revolucioneve të vitit 1989 na lejon të dallojmë disa tipare të përgjithshme, të cilat kanë karakterizuar të gjitha këto vende. Të tilla janë:
Së pari, një transferim relativisht paqësor i pushtetit, ndonjëherë, madje, i realizuar përmes negocimesh, përmes një “pakti tranzicioni” apo “shtrëngimit të duarve” midis elitës së vjetër;
Së dyti, një lëvizje(je) politike opozitare me spektër të gjerë, si Solidarnosti në Poloni, Forumi Civik në Çekosllovaki apo Sajudis në Lituani, lëvizje të cilat, përgjithësisht, e humbën influencën e tyre dhe u shpërbënë pas marrjes së pushtetit, pothuaj njëlloj siç ka ndodhur edhe me shpërbërjen apo fragmentimin e shumë partive politike gjatë tranzicionit në këto vende;
Së treti, një “shock” ekonomik (pra edhe social) që solli një rritje negative në ekonomitë e këtyre vendeve për një periudhë që varioi nga dy deri në pesë vjet (e njohur me termin “recesion i tranzicionit”) dhe që u shoqërua, thuajse kudo, me mbyllje të ndërmarrjeve, me rritje të papunësisë dhe, në kushtet e një anomie durkheimiane, madje, edhe me rritjen e numrit të vetëvrasjeve, etj;
Së katërti, diskreditimi (shpeshherë i pasuar nga një rehabilitim i shpejtë) i partive të dikurshme komuniste, përfshirë;
Së pesti, “lustracioni(n)”, spastrimin e anëtarëve të elitave të mëparshme sunduese (përfshirë edhe anëtarë të lëvizjeve opozitare antikomuniste, të cilët kishin bashkëpunuar me organet e sigurimit në këto vende);
Së fundi, një tendencë zhvillimi politik që është karakterizuar nga një shkallë e konsiderueshme egalitarizmi (apo një farë kundërshtimi ndaj rritjes së skajshme të pabarazisë ekonomike e sociale), por pa u mbështetur në forma të politikës klasore si ato që gjejmë akoma në mjaft vende të Europës jokomuniste. Natyrshëm mund të shtrohet pyetja nëse 20 vjet pas përmbysjes së komunizmit në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore tranzicioni postkomunist ka mbaruar ose jo, çështje kjo të cilën e kam trajtuar edhe në raste të tjera. Historiani anglez Robin Okey sugjeron se, “tranzicioni postkomunist në Europën Lindore nuk do të quhet i përfunduar deri sa ky rajon të jetë integruar me sukses me Bashkimin Europian”. Është interesant të vihet re në origjinalin (anglisht) se ky autor thotë të jetë integruar “me” (with), jo “në” (into) Bashkimin Europian. Shumë nga zhvillimet më interesante dhe më të rëndësishme që priten në të ardhmen janë ato që do të ndodhin në vende të tilla si Ukraina, Moldavia, Gjeorgjia, Bjellorusia dhe vetë Rusia. Ndërsa integrimi eventual i Ukrainës në NATO dhe në Bashkimin Europian, për shembull, dukej disi i mundur më parë, pas konfliktit Rusi-Gjeorgji, në gusht të vitit 2008, kjo perspektivë duket shumë më pak realiste.
Transformimet e mëdha postkomuniste në Europën Lindore duket se nuk kanë përfunduar. Siç ka vënë në dukje studiuesi anglez James Sherr, duket se ka një analogji interesante midis revolucioneve borgjeze të vitit 1848 në Europë dhe revolucioneve të vitit 1989 në Europën Qendrore dhe Lindore. Ndërsa të parët përmbysën regjimet e vjetra feudale dhe i dhanë pushtetin borgjezisë në disa vende, por lanë pa liberalizuar dhe pa transformuar krejtësisht vende të tjera të kontinentit, revolucionet e vitit 1989 sollën liberalizimin dhe demokratizimin e disa vendeve të këtij rajoni, por kjo ende nuk ka ndodhur në shumë vende të tjera të tij. Sherr i referohet në mënyrë të veçantë “revolucionit të portokalltë” (Orange Revolution) në Ukrainë, por analiza e tij ka vlerë më të përgjithshme se një rast i vetëm. Revolucionet e vitit 1989 ishin, natyrisht, shumë të koncentruara në kohë; ato u kryen, thuajse kudo, brenda një periudhe shumë të shkurtër¯në vjeshtë dhe në fillim të dimrit të atij viti. Sidoqoftë, këto revolucione nuk u shtrinë kudo në Europën Lindore, ashtu sikurse lëvizjet e 1968-ës nuk patën jehonë kudo. Tranzicioni postkomunist në pjesën lindore të kontinentit tonë ende nuk ka përfunduar dhe, në vend që të flitet për vitin 1989, ndoshta do të duhej të flitej për vitet 1989, ashtu siç flitej disa dekada më parë për les années ‘68. Kjo nuk do të thotë aspak se tranzicioni postkomunist nuk do të ketë fund. Një ditë, ne nuk do i referohemi më Europës Lindore si “Europa postkomuniste”, ashtu sikurse sot, kur flasim për Gjermaninë, nuk themi më “Gjermania post-naziste” apo, kur i referohemi Spanjës së sotme, nuk themi më “Spanja post-frankiste”. Sidoqoftë, që kjo të ndodhë, do të duhet të presim akoma vite, madje edhe disa dekada të tjera. Dhe, ndoshta, vetëm kur kjo të ndodhë, viti 1989 do të zërë vendin e duhur në serinë e datave të revolucioneve të Europës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›