Ekstradohet i dënuari për vrasje në Shkodër
TIRANE Interpoli ekstradon nga Italia një person të shpallur në kërkim për vrasje dhe të dënuar në mungesë me 14 vjet burg. Sipas Policisë së Shtetit, i ekstraduari është 31-vjeçari nga Shkodra, Nard Kodraj, i njohur edhe me emrin Mario, i cili rezulton të ketë kryer një vrasje kur ka qenë vetëm 16 vjeç. Sipas vendimit të Gjykatës së Shkodrës, Kodraj akuzohet për vrasjen e 15-vjeçarit Jeton Halilaj, në fshatin Mes të komunës Postribë të Shkodrës. Ngjarja për të cilën akuzohet i ekstraduari ka ndodhur më 12 tetor të vitin 1996, pranë urës së Mesit në komunën Postribë. Viktima Jeton Halilaj, 15 vjeç, nxënës i vitit të parë në shkollën e mesme të fshatit Mes, ka qenë duke luajtur futboll në oborrin e shkollës me shokët. Nard Kodra është futur brenda në oborrin e shkollës dhe ka dashur të pengojë nxënësit që po luanin duke i ngacmuar dhe u ka marrë topin. Për këtë arsye ka nisur të debatojë dhe të zihet me 15-vjeçarin Halilaj, por në mes janë futur adoleshentët e tjerë duke e larguar autorin. Pas disa orësh Kodra është përballur me viktimën, të cilin e ka goditur disa herë me thikë dhe nga plagët e rënda ai ka ndërruar jetë në Spital.