E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitësit marrin peng një 26-vjeçar, nuk dihet fati i tij

Merret peng dhe nuk dihet fati i një 26-vjeçari nga Kukësi. Denoncimi, për marrjen peng, është bërë nga daja i tij dhe mendohet se ky akt kriminal, që mund të ketë pasoja të rënda të jetë kryer në Vlorë. Nga të dhënat e mbledhura deri dje, Përparim Gashi është nisur për të emigruar në Itali dhe është mashtruar nga një femër, e cila mund të jetë pjesëmarrëse në pengmarrje, që mendohet të jetë kryer për grabitjen e tij. Policia ka mundur të kontaktojë në telefon me 26-vjeçarin, por më pas janë shkëputur lidhjet dhe nuk dihet se ku mund të jetë, ndërkohë që vazhdon puna për gjetjen e tij.

Burime të besueshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur se alarmi për këtë pengmarrje është dhënë para dy netësh, pak para mesnate. Komisariati i Kukësit thotë se është njoftuar rreth orës 23:00 nga Rakip Matmuja, se nipi i tij, Përparim Gashi, është marrë peng në Vlorë. Matmuja, i cili është daja i 26-vjeçarit, ka sqaruar për policinë se nipi i tij ishte nisur për të emigruar ilegalisht në Itali, pa dijeninë e prindërve të tij. Por, Përparim Gashi ka marrë në telefon dajën dhe ka sqaruar se e kishin marrë peng. Sipas denoncimit, ai ka treguar se te porti i Vlorës është takuar me një femër. Duke e mashtruar se do ikte bashkë me të, ajo e ka manipuluar 26-vjeçarin dhe i ka mbushur mendjen të hipte në një furgon malli me ngjyrë të bardhë. Më pas, në furgon ka vënë re se ndodheshin katër persona, të cilët e kanë keqtrajtuar. Në bisedë me dajën, pengu ka rrëfyer se rreth mesditës e kanë çuar në spital dhe pas një mjekimi, i kanë treguar se e kanë marrë peng, duke e çuar disa kilometra larg Vlorës. Atje e kanë futur në bodrumin e një banese private, ku ndodhej edhe në momentin që ka folur me dajën e tij. Pasi policia e Kukësit ka dëgjuar gjithë variantin e Rakip Matmujës, ka njoftuar policinë e Vlorës, e cila është vënë në lëvizje për gjetjen e këtij personi.

Sipas të dhënave të mbledhura, policia e Vlorës ka detajuar për Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit se mjeti furgon, me të cilin mendohet se ka lëvizur pengu është "Mercedes Benz", me targë VL dhe dy prej numrave i ka 11, por nuk dihet se në fillim apo në fund të targës. Ndërkohë, policia ka mundur të kontaktojë edhe me djalin që është marrë peng, i cili ka rrëfyer se nga katër personat që ndodheshin në furgon, dy ishin të ngjashëm me njëri-tjetrin. Gjithashtu, duke treguar rrugën e përshkruar, Përparim Gashi i ka thënë policisë se e kishin çuar rreth 3-4 kilometra larg qytetit të Vlorës, ku ndodheshin rreth 25 banesa private dhe në njërën prej tyre e mbajnë. Ndërkohë, më vonë kur policia ka kërkuar të komunikojë sërish në telefon me Përparim Gashin, ai e ka konfirmuar këtë bisedë, por ka mbyllur telefonin, me justifikimin se nuk kishte bateri në celular. Që nga kjo bisedë, e cila është bërë në orët e para të mëngjesit të djeshëm e deri në orët e vona, policia nuk ka pasur asnjë kontakt tjetër me personin e marrë peng.

Ndërkohë, nga marrja në pyetje e familjarëve, policia ka shpjeguar se i riu kishte marrë rreth 200 mijë lekë me vete për të paguar trafikantët e rrugës për në Itali dhe ky mendohet se ka qenë motivi i pengmarrjes së tij. Por, duke parë se deri në orët e mbrëmjes nuk ka pasur asnjë kontakt tjetër me të, dyshohet se ai mund të bëhet pre e ndonjë krimi të dhunshëm, me qëllim që pengmarrësit të zhdukin gjurmët e tyre. Nga ana tjetër, policia ka kryer edhe verifikimet e duhura te spitali i Vlorës, por aty ka konstatuar se asnjë person me emrin Përparim Gashi nuk figuronte i regjistruar dhe nuk kishte mbërritur asnjë person i dëmtuar. Në këto kushte është kërkuar ndihma e kompanisë celulare, nëpërmjet të cilës ka komunikuar me numrin e tij, 26-vjeçari nga Kukësi. Ndërsa të dhënat e furgonit, me të cilin mendohet se ka lëvizur i riu, i janë dhënë gjithë shërbimeve të policisë, me qëllim identifikimin e tij. Gjithashtu, policia ka kryer disa kontrolle dhe ka mbledhur informacione operative mbi këto dyshime, për të identifikuar sa më shpejt të jetë e mundur pengmarrësit dhe të realizojë lirimin e 26-vjeçarit. Por, ende mbetet enigmatike se nuk ka asnjë shenjë mbi fatin e tij.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›