Klandestinët me Greqinë, ende mbeten shifra të larta
Vazhdojnë të mbeten të larta shifrat e emigrantëve klandestinë, që tentojnë të hyjnë ilegalisht në Greqi nëpërmjet vijës së gjelbër të kufirit në Qarkun e Gjirokastrës. Shifrat e bëra publike nga Drejtoria Rajonale e Kufirit dhe Migracionit e tregojnë më së miri këtë fakt. Në periudhën qershor-tetor, vetëm nga shërbimet e policisë kufitare shqiptare janë kapur dhe kthyer mbrapsht 1905 shtetas, që kishin si qëllim largimin drejt Greqisë në mënyrë të paligjshme. Një pjesë e këtyre shtetasve, të cilët për të disatën herë kanë kryer veprën penale të "Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror", janë proceduar penalisht dhe po ndiqen në gjendje të lirë. Ndërkaq, po i lartë mbetet edhe numri i të riatdhesuarve nga policia greke, kryesisht nëpërmjet Stacionit të Policisë Kufitare të Kakavijës, megjithëse shifrat e tyre nuk bëhen të ditura zyrtarisht. Burime policore kanë bërë të ditur se një numër i lartë trafikantësh janë vënë në pranga, ndërsa katër rrjete të organizuara të trafikut të klandestinëve janë shkatërruar përgjatë kësaj periudhe. Në funksion të frenimit të këtij fenomeni, policitë homologe të dy qarqeve, të Gjirokastrës e Janinës, në periudha të ndryshme kanë ndërmarrë operacione të përbashkëta me afat të shkurtë kohor për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, trafiqeve të paligjshme, qenieve njerëzore, lëndëve narkotike dhe trafikimit të fëmijëve që kanë synuar goditjen e trafikimit të qenieve njerëzore.