Grabitësit me çorape në kokë vjedhin 2 milionë lekë
Policia e Kurbinit ka arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm tre persona dhe ka shpallur në kërkim një të tretë, pasi dyshohet se kanë grabitur 20 milionë lekë në një pikë shumice në qytetin e Laçit. Policia njoftoi se në orën 01:00 të mëngjesit të së enjtes arrestoi 24-vjeçarin Bledar Sefa, 23-vjeçarin Kreshnik Dervishi dhe 56-vjeçarin Davit Regji dhe shpalli në kërkim 20-vjeçarin Andrin Teluli. Të tre të arrestuar dhe personi i shpallur në kërkim sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit kanë kryer të njëjtën vepër penale: vjedhje me pasoja të rënda, e kryer në bashkëpunim.
Sipas burimeve zyrtare të policisë së Kurbinit, Bledar Sefa, Kreshnik Dervishi, Davit Regji dhe Andrin Teluli kanë organizuar së bashku planin e grabitjes së një pike të shitjes me shumicë të mallrave ushqimore, që ndodhej në afërsi të superstradës Laç – Fushë-Krujë. Sipas policisë, Davit Regji drejtonte makinën me të cilën udhëtonin katër keqbërësit. Ata kanë ndaluar pranë dyqanit që kishin piketuar dhe pasi kanë parë që punonjësit janë larguar, duke lënë të vetëm pronarin, kanë hyrë brenda. Me të hyrë në ambientet e brendshme të dyqanit, tre të rinjtë janë maskuar, duke vendosur çorape në kokë dhe duke kërcënuar me armë të ftohta pronarin i kanë kërkuar atij të dorëzonte çelësat e kasafortës. Ndërsa dy prej grabitësve mbanin nën kërcënim pronarin, i treti ka hapur kasafortën ku ndodheshin 2 milionë lekë të rinj, që ishin mbledhur nga xhiroja e disa ditëve. Pas grabitjes së parave, tre të rinjtë i kanë marrë pronarit të dyqanit edhe celularin, në mënyrë që të mos njoftonte policinë dhe janë futur me shpejtësi në makinën e që i priste jashtë dhe që drejtohej nga Davit Regji.
Të dëmtuarit, me inicialet Y.K. i janë dashur disa minuta për të njoftuar policinë, e cila ka mbërritur shpejt në vendin e ngjarjes. Në bazë të dëshmisë së të dëmtuarit dhe informacioneve të mbledhura në rrugë operative, policia ka arritur shpejt të identifikojë autorët e grabitjes dhe të vihet në ndjekje të tyre.
Vetëm pak orë pas grabitjes, policia arrestoi tre nga katër grabitësit, si dhe të gjejë një pjesë të shumës së parave të grabitura. Rreth 1,1 milionë lekë u janë bllokuar tre të arrestuarve, ndërsa pjesa e tjetër e parave të vjedhura mendohet se është marrë nga grabitësi i katërt, i cili është ende i lirë.
Mësohet se pas arrestimit, tre personat nuk e kanë pranuar akuzën, por policia ka mundur të sigurojë prova për t’i fajësuar ata.
#