Mat, plagos fqinjin për vijën e ujit
Zihen për vijën e ujit, plagoset një 25-vjeçar nga Rrethi i Matit. Ditët e nxehta kanë risjellë përplasjet mes banorëve në zonat rurale për ujin e vaditjes së tokave. Për pasojë, një 25- vjeçar nga fshati Stojan i Komunës Ulëz në Rrethin e Matit ka mbetur i plagosur rëndë. Burimet zyrtare të policisë lokale bëjnë të ditur se dy të rinj të këtij fshati, Sandër Menga 25 vjeç dhe Fatjon Xheçi 20 vjeç, kanë nisur të grinden me njëri-tjetrin për vijën e ujit. Në grindje e sipër, 20-vjeçari Fatjon Xheçi ka plagosur me mjete të forta 25-vjeçarin Sandër Menga, i cili ndodhet në gjendje të rëndë. Sipas banorëve të këtij fshati, mes këtyre dy familjeve ka pasur konflikte të vjetra pronësie. Babai i të dëmtuarit, Mëhill Menga, ka njoftuar policinë e Burrelit për këtë ngjarje, por ata nuk kanë ardhur në vendin e ngjarjes. Po kështu as ambulanca e spitalit të Burrelit, edhe pse është pritur për tri orë rresht, nuk ka ardhur për të transportuar në spital të plagosurin. Në këto kushte, i ati, Mëhilli, është detyruar të njoftojë mediat, gjë që sipas tij e ka detyruar policinë të vijë në vendngjarje dhe të nisë hetimet. Ndërkohë i plagosuri Sandër Menga është dërguar privatisht në spitalin e Burrelit për të marrë ndihmën e duhur mjekësore. Gjithsesi, ngjarje të tilla, thonë banorët, duhen vlerësuar nga ana e policisë, pasi ndjenja e hakmarrjes në zonat rurale verilindore mbetet ende e fortë dhe evidente, përderisa shteti nuk ndërhyn për zgjidhjen e këtyre sherreve.
#