Punimet pa leje, ndalet ndërtimi i universitetit privat
Inspektorati i ndërtimit ndërpret punimet në godinën e ish- maternitetit të qytetit të Beratit. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, inspektorët kanë mbërritur në ambientet e godinës që tashmë është shndërruar në një filial të universitetit jopublik UFO. Inspektorët kanë rrethuar gjithë zonën ku po punohet, duke i konsideruar punimet si të jashtëligjshme. Ndërkaq, çështja ka mbërritur pranë Prokurorisë së Rrethit të Beratit, ku administratori i universitetit, Astrit Veliaj, është paditur nga ana e bashkisë. Prokurori i rrethit, Xhemal Saliasi, ka pohuar për gazetën se kjo është një çështje nën hetim dhe po shqyrtohet kuadri ligjor. Sipas kreut të akuzës së Beratit, në rast se vërtetohet se është bërë shkatërrimi i objektit, do të veprohet me procedura ligjore. Ndërkohë, administratori Astrit Veliaj ka këmbëngulur se zotëron të gjithë dokumentacionin e pronësisë, pas blerjes nga ish-pronari. Ai ka deklaruar se nuk i njeh firmat të cilat po punojnë në pjesën e pasme të ish-maternitetit, megjithatë deri në një urdhër të dytë, punimet te ky objekt janë bllokuar nga policia bashkiake.
#