Konflikti për pronën, bllokohet ura e varur në Goricë
Nuk i njohin dokumentet e pronësisë, bllokon një nga urat e qytetit në shenjë proteste. Një qytetar nga Berati ka bllokuar për disa minuta kalimin mbi “Urën e Varur” në lagjen “Goricë” të këtij qyteti. Spiro Devole, në shenjë proteste për mosnjohjen e dokumenteve të pronësisë mbi tokën ku është ngritur një hotel- restorant, ka bllokuar urën në hyrje të saj. Qytetari Devole ka vendosur një litar në të gjithë gjerësinë e urës që lidh lagjen “Goricë” me pjesën tjetër të qytetit dhe për rreth 30 minuta nuk ka lejuar asnjë person të kalojë urën. Devole është shprehur se familja e tij disponon dokumentet e tokës ku është ngritur një hotel-restorant pranë urës së varur, objekt i cili është ngritur sipas tij në mënyrë të jashtëligjshme mbi pronën e tij. Në shenjë proteste ndaj mosnjohjes së dokumenteve të pronësisë, Devole ka qëndruar pranë hyrjes së bllokuar së urës deri në momentin e mbërritjes së uniformave blu. Qytetari Devole është shoqëruar më pas pranë ambienteve të policisë, ku është marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen e paprecedentë.
#