Grabitësit plagosin gruan e pronarit në "Exchange"
Etleva Delia
Një grua mbeti e plagosur mëngjesin e djeshëm në qendër të kryeqytetit, nga dy të rinj të armatosur që dyshohet se kanë tentuar të grabisin një pikë të këmbimit valutor në pronësi të bashkëshortit të viktimës. Edhe pse dyqani "Exchange", në hyrje të rrugës së "Kavajës" ishte në rikonstruksion dhe brenda nuk kishte asnjë shumë të hollash, dy të rinjtë nuk kanë nguruar të futen brenda dhe të qëllojnë gruan e më pas të largohen pa përfituar asgjë. Pas rezistencës së Rudina Shametit, njëri nga djemtë i ka tërhequr çantën e krahut dhe e ka qëlluar 4 herë me pistoletë në drejtim të saj. Fatmirësisht dy nga plumbat e kanë kapur në këmbë 46-vjeçaren, e cila ndodhet në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. Sapo kanë marrë çantën dy të rinjtë e armatosur me pistoleta janë larguar me motor nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk janë identifikuar nga policia.
Grabitja me armë
Ka qenë ora 08:00 e mëngjesit të djeshëm, kur Rudina Shameti dhe bashkëshorti i saj, kanë shkuar për të hapur dyqanin e tyre "Exchange", në hyrje të rrugës së "Kavajës" në kryeqytet. Bashkëshorti i saj ka qenë duke parkuar makinën, ndërkohë që 46-vjeçarja ka hapur dyqanin, i cili ishte në rikonstruksion dhe ajo kishte shkuar që të pastronte. Ndërkohë dy të rinj kanë qenë duke pritur momentin e përshtatshëm për të hyrë në dyqan dhe kishin ndaluar me motor vetëm disa metra larg tij. Sapo Shameti është futur brenda, njëri nga të rinjtë, i cili ka qenë i armatosur është nisur në drejtim të saj, ndërsa tjetri ka qëndruar jashtë për të vëzhguar situatën. Sipas kunatit të 46-vjeçares, djali që është futur brenda i ka kërkuar çantën asaj, duke e kërcënuar me pistoletë. Ajo e ka kundërshtuar dhe ai ka qëlluar 4 në herë në drejtim të saj, duke e plagosur në këmbë. Kur ka dëgjuar të shtënat bashkëshorti i saj është nisur në drejtim të dyqanit, por është ndeshur me djalin tjetër që ndodhej jashtë, i cili e ka kërcënuar me pistoletë. Pasi kanë marrë çantën, dy djemtë janë larguar me motor dhe policia ende nuk ka rënë në gjurmët e tyre. E plagosura ndodhet në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë sipas policisë ngjarja është klasifikuar vetëm si plagosje dhe jo si grabitje, pasi nuk ka të dhëna për të. Burime nga policia bënë të ditur se plagosja mund të ketë ndodhur edhe si pasojë e ndonjë konflikti të vjetër.