Rikuperohet Lorik Cana, do të jetë në fushë kundër Tventes
Kalvari i Lorik Canës është drejt fundit. Pasi ka qëndruar për afro dy muaj jashtë fushave të lojës (situata u përkeqësua në fund të dhjetorit 2008), mesfushori kuqezi duket plotësisht i rikuperuar nga dëmtimi në gjurin e djathtë.
25-vjeçari do të jetë në kontingjentin e teknikut Erik Gerets për sfidën e së enjtes (më 19 shkurt) në Kupën UEFA, ku Olimpik Marseja do të luajë kundër holandezëve të Tuentes.
Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të klubit francez, që saktësonte se “gjuri i Canës është kthyer në gjendje optimale dhe prej disa ditësh nuk është më i ënjtur”. Ende nuk është saktësuar nëse kapiteni i marsejezëve do të aktivizohet. Rehabilitimi i plotë i Canës ka ardhur afro 10 ditë me vonesë nga data e parashikuar. Stafi mjekësor i Olimpikut të Marsejë, edhe pse më parë kishte dhënë datën 8 shkurt, si ditën e rikthimit të mundshëm të Lorikut në fushën e lojës, tani është treguar shumë i rezervuar. “Ne kemi folur me doktor Franceskin dhe kemi përcaktuar edhe se çfarë rruge do të ndjekim. Përpara se të rikthehet në fushën e lojës, duhet që në fillim Lorik Cana të bëjë një javë stërvitje pas gjurin e ënjtur. Dhe ne shpresojmë se kjo do të ndodhë gjatë një duzine ditësh”. Loriku është një nga lojtarët më të rëndësishëm të klubit më popullor në Francë. Të gjithë tifozët e Olimpikut të Marsejës e kanë pritur me trishtim të madh lajmin se kapiteni s’kishte shanse të luante në ndeshjen Olimpik Marsejë-Bordo. Kjo duket edhe në reagimet e tyre në forumin e “La Provence”. Canës i janë bërë edhe injeksione me një medikament të posaçëm për tharjen e gjurit, dhe shqiptarit i kërkuar së fundi nga disa ekipe me emër në Europë i duhet të bëjë durim. Ai nuk luajti as në takimin eliminator ku Shqipëria barazoi 0-0 në fushën e Maltës, një mungesë që peshoi shumë për kuqezinjtë.