E Diel, 1 Nëntor 2026

UEFA ndryshon formatin, përfitojnë klubet shqiptare

 

Jetmir Halilaj

Formati i ri i Ligës së Kampioneve, ose më saktë, pjesa që i takon tureve paraeliminatore, favorizon më shumë skuadrat e vendeve të vogla e për pasojë, edhe skuadrat shqiptare do mund të përfitojnë sezonin e ardhshëm. Mishel Platini e mbajti fjalën, kur deklaroi para se të zgjidhej president i UEFA-s se vendet e vogla do të kenë prioritet. E në fakt, duke filluar që nga kjo verë, ekipet shqiptare do ta kenë më të lehtë kualifikimin. Sipas formatit të ri, 22 ekipe do të kualifikohen automatikisht për fazën në grupe, ndryshe nga formati aktual ku kualifikohen vetëm 16. Skuadrat kampione të kampionateve që renditen në UEFA nga vendet 13-53 do të evitojnë përballjet me ekipet e mëdha në turin e tretë. Ky raund do të zhvillohet në dy grupe, në njërin prej të cilit do të ndodhen skuadrat e Federatave 1-12 (sipas renditjes së kampionateve) dhe në tjetrin të “mbijetuarat” nga dy raundet e para kualifikuese. Ky, padyshim, që është një lehtësim i madh, pasi ekipet shqiptare do mund të ndeshen me skuadra të rangut të tyre dhe jo me ekipe të forta si ato italiane, gjermane apo angleze.
Shqipëria
Kampionati shqiptar renditet i 36-ti në Evropë dhe kampionia shqiptare kualifikohet automatikisht në raundin e dytë, ndërsa në raundin e parë luajnë ekipet e kampionateve të vendeve që renditen nga 47 deri në 53. Skuadra shqiptare që do të fitojë kampionatin do të luajë direkt në turin e dytë paraelimnator të Ligës së Kampioneve, jo si më parë, kur i duhej të luante që në turin e parë eliminator. Në rast se do mund ta kalojë këtë tur (turin e dytë), kaq do t’i mjaftojë kampiones shqiptare për të mbetur në kompeticionet evropiane edhe në rast humbjeje, pasi kështu do të mund të marrë pjesë në turet eliminatore të Ligës Evropiane.
LIGA EVROPIANE
Kupa UEFA do të shpërbëhet duke nisur nga viti i ardhshëm, duke u transformuar në Ligën e Evropës dhe do të rritet pjesëmarrja e skuadrave nga vendet e vogla evropiane që do të marrin pjesë në këtë kompeticion. Shqipëria do të përfitojë një skuadër shtesë në këtë kompeticion. Kupa Intertoto, e cila deri në sezonin aktual ka kualifikuar skuadra për në Kupën UEFA, nuk do të ekzistojë më.
Pjesëmarrja
Tri skuadra shqiptare do të kualifikohen në Ligën Evropiane, në vend të dy, që janë kualifikuar deri tani në Kupën UEFA. Ekipet që do të marrin pjesë në këtë kompeticion janë fituesja e Kupës së Shqipërisë, e cila kualifikohet automatikisht për në raundin e dytë. Dy ekipet e tjera, vendi i dytë dhe i tretë i kampionatit, ose vendi i katërt, në rast se Kupa e Shqipërisë fitohet nga një ekip i vendit të dytë ose të tretë, nisin rrugën e tyre në raundin e parë. Nëse kampionia e Shqipërisë do të shpallet edhe fituese e Kupës, të drejtën për të nisur nga raundi i dytë i Ligës Evropiane e fiton skuadra finaliste e Kupës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›