E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet banesa te Shkolla e Kuqe

TIRANE – Dy persona të armatosur grabitën dje në mes të ditës një banesë në kryeqytet, duke i marrë të zonjës së shtëpisë një çantë me bizhuteri. Burime nga Policia thanë se ngjarja ndodhi pranë Shkollës së Kuqe në Tiranë, në banesën në pronësi të Bujar Toçillës, kur brenda ndodhej vetëm bashkëshortja e tij. Dy persona kanë hyrë në banesën e katit të pestë të një godine private banimi në kryeqytet, duke vjedhur nën kërcënimin e një arme një çantë me bizhuteri dhe sende të tjera me vlerë. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Qemal Stafa”, në orën 14:00 të pasdites së djeshme. Sipas Policisë, dy persona rreth moshës 30 dhe 18 vjeç janë prezantuar fillimisht si punonjës të Ujësjellës- Kanalizimeve, në mënyrë që e zonja e shtëpisë t’u hapte derën. Në këtë formë ata kanë arritur të futen brenda rrethimit të godinës private dhe sipas të dëmtuarës kanë qenë pa maskë. Pasi janë futur në shtëpinë e shtetasit Bujar Toçilla, ku kanë gjetur bashkëshorten e këtij të fundit, ata kanë kërkuar paratë dhe sendet me vlerë, duke kërcënuar me armë gruan që ndodhej në banesë me pretendimin së i shoqi u kishte borxh një shumë parash. Pasi kanë marrë atë çfarë kanë kërkuar, dy autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka krijuar një identikit të të dyshuarve si autorë të ngjarjes, nisur nga përshkrimet e të dëmtuarës Toçilla. Ndërsa nga verifikimet dhe pyetja e bashkëshortit të saj, nuk rezulton që ai të ketë ndonjë shumë parash borxh, ashtu siç pretendohej nga grabitësit. Sipas Policisë, autorët duhet të kenë pasur një plan të përgatitur mirë dhe se kishin dijeni për masat e sigurisë së godinës 5-katëshe ku ndodhej apartamenti i Bujar Toçilës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›