E Diel, 1 Nëntor 2026

Tim biri iu rrezikua jeta, shteti të sqarojë plagosjen

Prekë Ndrekaj, babai i të plagosurit

Prekë Ndrekaj: Asnjë incident në 20 vite. Kafshët nuk e njohin kufirin.

“Frika e humbjes së lopëve ka bërë që djali të mos kthehej në shtëpi pa i marrë të gjitha. Dihet, në këto zona ne me bagëti e kemi jetën, kështu që nuk kemi se si t’i humbim aq kollaj”. Prekë Ndrekaj, babai i Gëzimit i cili një ditë më parë u plagos nga policia kufitare malazeze, reagoi dje duke kërkuar nga shteti zbardhjen e ngjarjes. “Kur e mora vesh që kanë qëlluar Gëzimin, kujtova se e kanë vrarë, shyqyr Zotit që ishte plagosur dhe plaga nuk ishte e madhe”, deklaroi ai nga ambientet e spitalit ku ndodhet i shtruar i biri. Sipas mjekëve, Gëzim Ndrekaj, 32 vjeç, do të qëndrojë në spital deri në përmirësimin e gjendjes.
Kur e morët vesh ngjarjen?
Ka qenë ora rreth 20:00 e mbrëmjes, kur më merr Gëzimi në telefon dhe më thotë që “po nisem për në spitalin e Shkodrës, se më kanë plagosur policët malazezë. Plaga është e lehtë, ndaj mos u bëni merak”. Nuk u besova veshëve, ndaj dhe unë u nisa menjëherë për në spital. Kisha frikë se mos ndoshta ishte rëndë. Por kur mbërrita atje dhe pashë se çdo gjë ishte siç më tha Gëzimi në telefon, u lehtësova pak, por gjithsesi, plaga është plagë. Pasi mori ndihmën e parë, atëherë mësova se si kishin ndodhur ngjarjet.
A mund të na e përshkruani edhe ju se çfarë ka ndodhur konkretisht?
Gëzimi kishte dalë së bashku me një shokun e tij të fshatit, për të kullotur lopët. Sapo ka filluar të bjerë errësira, ata kanë menduar të mbledhin bagëtitë nga kullota dhe të kthehen për në shtëpi. Por kafshët janë kafshë dhe ishin shpërndarë kuturu, kështu që dy prej tyre ishin larguar më shumë se të tjerat. Gëzimi është nisur për t’i marrë ato. Gjatë kohës që kërkonin lopët, nga shpina e tyre kanë dëgjuar një zë “Ndal!” në gjuhën malazeze. Menjëherë sapo kanë dëgjuar urdhrin, atëherë e kanë kuptuar se mund të kishin kaluar në anën malazeze. Në fillim ata kanë menduar të ndalonin, por nga frika se mund t’i arrestonin dhe pastaj duheshin të përballeshin nëpër gjykata, kanë menduar që të kthehen me vrap për në territorin tonë të kufirit. Gjatë kësaj kohe, ata kanë thirrur edhe një herë dhe më pas kanë filluar të qëllojnë me armë.
Sa herë kanë qëlluar malazezët në drejtim të tyre?

Gëzim Ndrekaj dje në spitalin e Shkodrës

Me aq sa kanë mundur të mbajnë mend ato, policët kanë qëlluar dy herë. Ndoshta herën e parë kanë qëlluar në ajër, pasi ata duke përfituar nga errësira kanë vrapuar për t’u larguar sa më shpejt, por di që djalin tim, Gëzimin, e ka kapur vetëm një plumb në këmbë, ndërsa shoku i tij ka shpëtuar mirë.
Ju ka ndodhur herë të tjera që të kaloni kufirin në mënyrë të pavetëdijshme?
Ne jemi banorë të zonës dhe të gjithë e kemi kaluar me mijëra herë vijën e kufirit, madje jo vetëm këta 20 vjet, por edhe më parë, por nuk kemi pasur probleme të tilla. Vija kufitare është tepër e vështirë të shikohet ditën e jo më natën, pasi terreni është i thyer, ka bimësi të dendur, kështu që ne pa dashje kemi kaluar në tokën tjetër. Por dua të përmend faktin që ne banorët e zonës njiheshim dhe nuk kemi pasur asnjëherë probleme të tilla. Por kësaj radhe nuk e di se si ka ndodhur që kanë qëlluar. Ndoshta policët malazezë kanë pasur frikë më shumë se djali im, ndaj kanë qëlluar menjëherë. Nuk e di se çfarë të them më shumë, por shteti duhet ta sqarojë mirë këtë punë, pasi kafshët tona nuk e dinë se cila kullotë është në territorin shqiptar e cila në atë malazez. Ne pa to nuk kemi jetë, kështu që nisur nga ky rast mendoj se djali im mund të kishte qenë i vdekur, në rast se plumbat do ta kishin kapur në ndonjë vend tjetër.

Incidenti, takim mes dy policive
Policia e Shkodrës nuk ka pasur ndonjë komunikim për mediat në lidhje me këtë ngjarje. Nga burime jozyrtare mësohet se përfaqësues të saj kanë zhvilluar një takim me kolegët e Malit të Zi, për të sqaruar rrethanat e incidentit në kufi dhe shkaqet e plagosjes së 32-vjeçarit. Ata po verifikojnë në terren edhe deklarimet e dy palëve. Ky është rasti i dytë, kur policët malazezë qëllojnë në drejtim të shtetasve shqiptarë. Rasti i parë ka ndodhur në vitin 2008, kur 57-vjeçari Skender Hysenaj nga fshati Luarzë i Velipojës është plagosur nga policia kufitare e Malit të Zi teksa po peshkonte me një varkë të vogël në lumin Buna, në ujërat territoriale të kufirit shqiptar.

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›