Pafajësi dy të akuzuarve për vrasje

Viktima Mirash preka
Prokuroria kërkoi në pretencë 44 vjet burg në total për dy të pandehurit, mohuan deklarimet në polici.
Mirash Preka u vra në 2010, gjykata: S`ka prova për autorët.
Gjykata e Tiranës deklaroi të pafajshëm dy personat e akuzuar për vrasjen e Mirash Prekës, ngjarje e ndodhur për gjakmarrje, më 21 nëntor 2010 në rrugën “Jordan Misja” në kryeqytet. Pas një procesi prej 22 seancash, togat e zeza pushuan akuzat ndaj të akuzuarve për këtë ngjarje, të pandehurve Alfred Gjergji dhe Besnik Vila. Ndaj tyre Prokuroria pati kërkuar në pretencën e saj një dënim në total me 44 vjetë burg. Sipas vendimit të shpallur më 30 mars 2012, gjykata thotë se nuk është provuar që vrasja e 40-vjeçarit Preka, e pretenduar fillimisht për motive hakmarrjeje, të ketë për autorë të pandehurit e dërguar për gjykim nga Prokuroria. Burime zyrtare të Gjykatës bënë të ditur se në seancën e paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 23 vjet burg të të pandehurit Gjergji dhe 21 vjet burg për të pandehurin Vila. Nga ana tjetër, i pandehuri Alfred Gjergji, i përfaqësuar nga avokati Mirash Martini dhe i pandehuri Besnik Vila, i mbrojtur nga avokati Pal Marku, kanë kërkuar pafajësi. Pasi u arrestua si i dyshuar për ngjarjen, gjatë pyetjes në polici, Gjergji e pranoi akuzën. Burime pranë Gjykatës bënë të ditur se deklarimi i dhënë prej tij në polici nuk është pranuar nga gjykata si provë, për shkak se është marrë në shkelje të procedurës. I pandehuri Gjergji ka dhënë shpjegimet e tij në gjykim, ku ka mohuar të ketë lidhje me vrasjen. Arsyetimi i plotë i vendimit të pafajësisë pritet të zbardhet në ditët në vijim.
VENDIMI
“Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Alfred Gjergji, akuzuar për veprën penale ‘vrasje me paramendim’, kryer në bashkëpunim, të shtetasit Mirash Preka”, thuhej në diapozitivin e vendimit të gjykatës. I pandehuri Gjergji deklarohej i pafajshëm edhe për akuzën e “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”. Në të njëjtin dispozitiv, gjykata deklaronte të pafajshëm për veprën penale të “vrasjes me paramendim” edhe të pandehurin Besnik Vila. Për të dy të pandehurit, Gjergji dhe Vila, gjykata urdhëronte lirimin e menjëhershëm të tyre nga paraburgimi “Jordan Misja” (Burgu 313) Tiranë, në qoftë se nuk mbahen të ndaluar, të arrestuar apo të dënuar për ndonjë vepër tjetër penale.
VRASJA
Mirash Preka u ekzekutua me armë zjarri më 21 nëntor 2010 në rrugën “Jordam Misja”, në afërsi të shinave të rrugës së trenit. Sipas Prokurorisë, dyshohej se viktima në datën 02.08.2010 në një fshat të Greqisë ka vrarë me thikë në debat e sipër shtetasin Ylli Gjergji, që është dhe vëllai i të dyshuarit Alfred Gjergji. Po sipas Prokurorisë, më pas viktima është kthyer në Tiranë, ku sipas deklarimeve të shtetasve të pyetur, rezulton se i ruhej një hakmarrjeje të familjareve të Ylli Gjergjit. Në hetimet e mëtejshme dhe përgjimet e bisedave telefonike të të afërmve të të dyshuarit, policia prangosi Besnik Vilën dhe Alfred Gjergjin si të dyshuar për vrasjen.
Deklarimi
Alfred Gjergji u arrestua në Tropojë, gati një muaj pas ngjarjes për të cilën ai u akuzua. Pas arrestimit, policia bëri të ditur se ai pranoi autorësinë e vrasjes, si dhe dha shpjegime në lidhje me të. Këto deklarime su pranuan nga gjykata, pasi nuk plotësonin kushtet e duhura procedurale të provës. Burime pranë mbrojtësit ligjor të të pandehurit Gjergji, bënë të ditur se pas ndalimit nga policia, Gjergjit i janë marrë deklarime pa praninë e mbrojtësitApelimi
Vetëm tri ditë pas shpalljes së vendimit të pafajësisë për dy të akuzuarit e vrasjes së Mirash Prekës, organi i akuzës i është drejtuar Gjykatës së Apelit Tiranë. Burime zyrtare konfirmuan se më 2 prill 2012, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka depozituar në Gjykatën e Apelit ankimin e saj mbi vendimin ndaj të pandehurve Alfred Gjergji dhe Besnik Vila. Burimet nuk bënë të ditur detaje mbi argumentet e Prokurorisë në këtë ankim.
ARMAND BAJRAMI