Përgjaket qendra e Korçës, plagosen me thikë 2 emigrantë

Komisariati i Korçës
KORÇE – Përgjaket qendra e qytetit të Korçës, dy emigrantë plagosen me thikë në një lokal. Dy emigrantë nga Greqia kanë mbetur të plagosur si pasojë e një sherri banal në një prej lokaleve gjatë orëve të para të mëngjesit në qytetin e Korçës. Sipas burimeve nga Policia lokale, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të së premtes, teksa dy shtetasit nga Puka, Preng Ndoj, 39 vjeç dhe Dritan Prenga, 30 vjeç, pasi janë kthyer nga Greqia nëpërmjet Kapshticës janë ndalur në një prej lokaleve 24-orësh të qytetit të Korçës. Pasi udhëtuan nga shteti helen në drejtim të Shqipërisë, dy emigrantët kishin kryer procedurat e kalimit kufitar në Kapshticë dhe ishin ndalur në një prej lokaleve 24-orësh në qendër të qytetit të Korçës për t’u çlodhur para se të vijonin udhëtimin e tyre. Sipas të dhënave, ata janë konfliktuar për motive banale me një 35-vjeçar, të identifikuar si Genti Felaj, banues i Lagjes numër 7 të qytetit. Pasi janë konfliktuar fillimisht në ambientet e lokalit, Felaj ka nxjerrë një thikë dhe ka goditur disa herë dy emigrantët dhe është larguar. Pas mbërritjes në vendngjarje, policia ka identifikuar autorin, si dhe ka mundësuar arrestimin e tij. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Gentian Felaj, nga ana e kësaj të fundit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një xhaketë e ndotur me njolla të ngjashme me ato të gjakut si dhe një thikë, e cila dyshohet që është përdorur nga autori. Burime nga spitali rajonal i Korçës bënë me dije se Preng Ndoj është në gjendje të rëndë për jetën, si pasojë e plagëve të shumta të marra në pjesën e barkut, ndërsa shoku i tij është në gjendje disi më të mirë. Pas ngjarjes, policia ka bërë të mundur arrestimin e autorit, si dhe sekuestrimin e armës së krimit. Nga hetimet e policisë mbi momentet e ngjarjes rezulton se ajo ka ardhur pas një debati të çastit mes autorit dhe dy emigrantëve. dh.d