Plagoset me gurë futbollisti i Apolonisë
SHKODER - Pas një grindjeje të çastit qëllohet me gurë në kokë Erjon Hoti, ish-futbollist i Vllaznisë, ndërsa aktualisht ai aktivizohet me Apoloninë e Fierit. Burime policore nga komisariati i Shkodrës bëjnë të ditur se paraditen e djeshme, në afërsi të kishës Ortodokse, 24-vjeçari Hoti është grindur me fjalë me 2 persona. Hoti ka qenë duke lëvizur me këmbë në trotuarin në anë të kishës, ndërkohë që të dy personat kanë zbritur nga një automjet dhe kanë filluar të grinden me të me fjalë e fyer njëri-tjetrin. Më pas njëri nga dy personat ka marrë nga toka një gurë, duke e qëlluar në kokë futbollistin dhe më pas janë larguar më vrap. Nga goditja e marrë në kokë Hoti është plagosur lehtë. Pasi ka marrë mjekimin në spitalin e qytetit dhe më pas është larguar për në drejtim të shtëpisë, pasi sipas mjekëve nuk bëhej fjalë për plagë të rrezikshme për jetën. Megjithëse nga ana e policisë nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar për ngjarjen, mësohet se kanë filluar menjëherë nga puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve, me qëllim që të mësohet se cili ka qenë shkaku i kësaj zënke mes tij dhe dy autorëve të saj. Erjon Hoti në qarqet sportive njihet si një person i urtë dhe aspak problematik. Hoti dikur ka luajtur me Vllazninë e Shkodrës, por gjatë dy viteve të fundit, duke mos gjetur hapësirën e duhur tek klubi i tij mëmë, aktivizohet në ekipe të tjera. Aktualisht Hoti aktivizohet me ekipin e Apolonisë së Fierit. r.d