E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitet banka, terror në qendër të Fierit

Filiali i bankës "Raiffeisen" në qytetin e Fierit është grabitur me armë dje në mesditë. Një person i armatosur dhe me maskë ka hyrë në ambientet e bankës dhe duke kërcënuar arkëtaren ka marrë të gjitha paratë që ndodheshin në atë moment në arkë. Grabitësi ka qëlluar me armën e zjarrit që mbante në dorë në drejtim të tavanit dhe pasi ka dalë, duke ecur me shpejtësi ka shtënë edhe në drejtim të tregtarëve të rastësishëm që ndodheshin në rrugë. Fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar, ndërkohë që policia është vënë në kërkim të grabitësit, i cili mendohet se është larguar me një automjet me targa belge.

Ngjarja

Filiali i bankës "Raiffeisen" ndodhet në bulevardin qendror të qytetit, vetëm pak metra larg sheshit "Fitorja". Burimet nga vendi i ngjarjes tregojnë se grabitja ka ndodhur rreth orës 11.10 minuta. Një person me shtat të shkurtër, i veshur me rroba ushtarake dhe me kapele në kokë, është futur në mjediset e bankës, i është drejtuar arkëtares duke e kërcënuar me armë. Ai i ka kërkuar asaj të gjitha paratë që kishte, por arkëtarja ka ngurruar t‘i dorëzojë paratë. Për këtë arsye, grabitësi ka shtënë në drejtim të tavanit me pistoletën që mbante në dorë dhe arkëtarja e tmerruar është bindur. Pas shkrepjes së armës, arkëtarja i ka futur vetë në qese paratë dhe ia ka dorëzuar personit të armatosur. Ky i fundit është larguar me shpejtësi nga banka, duke e drejtuar armën nga njerëzit që e shihnin në rrugë. Ai është futur në kthinën e parë të rrugës, pak metra larg derës kryesore të bankës. Dëshmitarë okularë nga vendi i ngjarjes tregojnë se ai ka ndjekur udhën e tregut industrial, më pas vendin e njohur me emrin "Shtegu i dhive" për të mbërritur brenda pak sekondash mbi urën me shkallë, poshtë së cilës mendohet se e priste një automjet me targa të huaja, që policia e ka identifikuar se ishte me targa belge.

Hetimet

Grabitja e filialit të bankës është njoftuar menjëherë pas daljes së autorit nga dera e saj. Në drejtim të vendit të ngjarjes kanë mbërritur forcat e postbllokut më të afërt policor dhe më pas ka shkuar në vendngjarje edhe drejtori i Policisë së Qarkut, Mërgim Hoxha, dhe drejtuesit e komisariatit. Në vendin e ngjarjes janë dislokuar menjëherë edhe efektivë të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe dhjetëra policë të Komisariatit të Fierit. Pas rrethimit të vendit të ngjarjes, ekspertët kanë nisur sigurimin e provave dhe gjurmëve. Fiksimi i gjurmëve të autorit, sipas policisë ka qenë i vështirë, pasi dyshohet se ai ka qenë me doreza. Janë marrë në pyetje fillimisht arkëtarja dhe më pas gjashtë punonjësit e tjerë të bankës. Gjithashtu në pyetje është marrë edhe drejtori i këtij filiali, si edhe i një tjetër filiali të "Raiffeisen"-it që ndodhet në Fier, Xhavit Bushi. Ky i fundit mësohet se ka thënë për policinë se numrat serialë të kartëmonedhave të grabitura janë regjistruar nga banka. Policia ende nuk ka dalë në një prononcim zyrtar, por nga informacionet paraprake të servirura prej saj mësohet se autori dyshohet se ka kaluar mes tregut industrial dhe më pas është larguar me një automjet me targa të huaja. Po ashtu, policia ka shpërndarë të gjithë efektivët e saj nëpër lagjet e qytetit, e konkretisht në lagjet "1 Maji", "Sheq i vogël" dhe "Kongresi i Përmetit", ku dyshohet se autori mund të ndodhet akoma.

Drejtori i bankës, Xhavit Bushi, tha se rojat e sigurisë në bankë mungonin, pasi filiali survejohet nga kamerat. Po ashtu, ai siguroi se kjo grabitje nuk sjell asnjë pasojë për klientët e bankës, pasi depozitat e tyre janë të siguruara. "Autori ka kërcënuar dy arkëtaret dhe ka arritur të marrë 500 mijë lekë e 960 euro", tha drejtori i filialit të bankës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›