Vrasja në Gramsh, për 180 mijë lekë
Rreth 2 milion lekë të vjetra ka "kushtuar" jeta e një 75-vjeçari në rrethin e Gramshit, ose më pak se ç‘janë shpenzuar për ceremoninë e varrimit të tij. Nga hetimet e policisë rezulton se 75-vjeçari Seit Hasa nga fshati Lenije i rrethit të Gramshit u vra pasi i biri dhe një shok i tij deshën t‘i merrnin 180 mijë lekë të reja. Edhe pse hetimet rreth kësaj ngjarjeje vazhdojnë ende, policia ka arrestuar edhe një person tjetër të akuzuar për vrasjen. Sipas burimeve zyrtare të policisë, bëhet e ditur se pas sigurimit të provave, që vërtetojnë vrasjen e 75-vjeçarit, të dyshuarit për këtë krim janë dy: djali 20-vjeçar i viktimës, Maksim Hasa dhe Artur Osmani, 34 vjeç, banor i fshatit Lenije. Sipas burimeve zyrtare, saktësohet se ndalimi i tyre u bë pasi dy personat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vrarë 75-vjeçarin Seit Hasa. Ndërkohë, burimet e policisë sqarojnë se Maksim Hasa, i ndihmuar nga Artur Osmani, ka vrarë duke mbytur babanë e tij me qëllim për t‘i marrë rreth 180 000 lekë të reja. Mësohet se krimi është planifikuar nga 34-vjeçari Osmani, i cili ka shfrytëzuar Hasën për të zbuluar se ku i mbante i ati i tij paratë. Osmani ka përfituar nga çrregullimet mendore të të riut për të shtënë në dorë shumën e parave, por mendohet se plani i vjedhjes nuk ka ecur sipas parashikimit dhe dy të rinjtë janë "detyruar" ta vrasin 75-vjeçarin. Pas veprimeve të plota procedurale të Policisë dhe Prokurorisë së Elbasanit, të dy personat e ndaluar, të akuzuar për "vrasje me dashje, e kryer në bashkëpunim", janë përcjellë në drejtim të Prokurorisë së Rrethit të Durrësit, ku dhe do të përballen me akuzën. Sidoqoftë, Policia e Elbasanit ende nuk i ka mbyllur hetimet, pasi është duke gjetur shkaqet e pohimit të familjes së të ndjerit, se vdekja ishte natyrale dhe për këtë qëllim janë duke u pyetur të gjithë anëtarët e familjes, si edhe fqinjët.
B.Dybeli
B.Dybeli